Lajme

Kriza politike, Rama: Vendi kërcënohet nga fantazmat e 1997!

Kriza politike që ka përfshirë vendin, me djegien e mandateve nga ana e opozitës, nuk e ka zmbrapsur kryeministrin Rama për të vijuar turin e tij në qytete, të cilin e ka quajtur “Bashkia që duam”.

Nga Përmeti, shefi i qeverisë ka deklaruar se situata e krijuar në javët e fundit nga opozita, bëhet vetëm për t’i shpëtuar drejtësisë, duke bërë edhe një krahasim me 22 vjet më parë.

“Kam marrë shumë mesazhe nga ju që më thonë mos lësho pe…. Unë nuk kam asnjë pe për të lëshuar, kam një detyrë për të kryer që na e jep kontrata që na e dha shumica. Të qeverisim deri kur të mbarojë mandati ynë dhe deri kur të kemi votat në parlament. Nuk jemi si ata, do ta kryejmë deri në fund, – tha Rama. – Sot në 2019 arrijmë në pikën që vendi të kërcënohet nga fantazmat e 1997, për t’i shpëtuar Saliu drejtësisë apo Luli për të shpëtuar karrigen… këto nuk i ha njeri. Kush mund ta hajë broçkullën që këta e bëkan për integrimin e ta çojnë Shqipërinë në Europë, që në asnjë regjim hibrid, nuk është bërë ndonjëherë”.

Sipas Ramës, “këto shprehin dy gjëra, dëshpërimin që u ka errësuar sytë dhe u ka humbur ekuilibrin, dhe nga ana tjetër frika nga drejtësia e re që po vjen. Bën çmos për ta penguar reformën e drejtësisë, nuk e penguan dot, e sot po e shohin që po formohen institucionet e drejtësisë e po formohet edhe SPAK”, tha Rama.

Duke u kthyer te punët e qytetit, Rama theksoi se për kreun e Bashkisë së Përmetit, ka ardhur koha që që të largohet. Mesazhi ishte për Niko Shupulin i cili vjen nga rradhët e Partisë Demokratike.

Rama u shpreh me bindje se në një Përmet totalisht të transformuar banorët e këtij qyteti kanë kuptuar ndryshimin dhe një gjë të tillë do e vërtetojnë në zgjedhjet e qershorit.

“Unë nuk jam nga ata që flas keq për kryetarët e Bashkisë që nuk janë të partisë. Por, sinqerisht mendoj që është koha që kryetari i bashkisë të shkojë në shpi. Dhe të jetë një njeri i zgjedhur jo për të shpenzuar taksa dhe për të mbajtur njerëz mbi numrin e nevojshëm, por për t’i kthyer juve përmetarëve besimin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë