Lajme

Kriza politike, pesë aleatët e Bashës takojnë sot presidentin Meta

Presidenti Ilir Meta pritet të zhvillojë sot një takim me Kryetarët partive të vogla opozitare, aleate të Partisë Demokratike.
Sipas njoftimeve, takimi do të mbahet në orën 11:00 dhe vjen me kërkesë të aleatëve të Bashës.
Platformën e prezantuar për marrëveshje kushtetuese, partitë e qendrës së djathtë do t’ia paraqesin edhe presidentit Meta për të gjetur një konsensus të gjerë në funksion të zgjidhjes së krizës politike.
Pasditen e djeshme, kryedemokrati Lulzim Basha takoi aleatët e tij për rreth 60 minuta në selinë blu. Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, ai i PDK-së, Nard Ndoka, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule etj, dolën me një qëndrim të unifikuar ku kërkuan ndryshimin e kodit zgjedhor, të cilin e cilësuan si strumbullarin e krizës.
Pak ditë më parë kryetarët e partive opozitar takuan edhe ambasadorin e BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca.
Në përfundim të takimit, kreu i republikanëve, Fatmir Mediu tha se do t’i kërkojnë presidentit Meta të thërrasë një tryezë dialogu pozitë-opozitë.
“Ne do t’i kërkojmë Presidentit të Republikës që të thërrasë një tryezë të pozitës dhe opozitës për të zgjidhur këtë situatë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Çdo gjë tjetër do të ishte shkatërruese për vendin. Soreca dhe të gjithë janë në mbështetje të dialogut”, u shpreh pak ditë ma parë kreu i republikanëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë