Rend dhe Ligj

Kriza për policët e rinj, dyshime për garë dhe rekrutim të dështuar

Policia po kalon krizën më të madhe përsa u përket mënyrave kontradiktore se si po rekruton brezin e të rinjve që do të jenë policia dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit. Pas problemit të madh që la pas koha e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, që futi në modë katapultimin jashtë sistemit të karrierës për fitimin e gradës policë që nuk kishin vjetërsinë e duhur, tashmë policia vazhdon të shkatërrohet. Siç rezulton në kohët e Tahirit, persona jo me shumë kulturë në hetim morën drejtimin e drejtorive më të mëdha edhe pse ligji kërkon që në pozicionet drejtuese të emërohen policë sipas gradave. Pas komandimit pa kriter, këta drejtues apo edhe shefa komisariatesh e fituan gradën në Gjykatën Administrative me pretekstin se grada fitohej edhe sipas pozicionit ku ishin dhe kjo ishte një mënyrë që ata të mbanin dhjetëra komisariate dhe drejtori qarqesh. Por ka një postulat në polici: “që të jesh polic i mirë duhet ta nisësh si polic për shumë vite, të grisësh këpucë e pastaj të përfundosh oficer”. Ajo çfarë besojnë ekspertët është se në fakt hetimi i krimit po humbet oficerët e mirë dhe kjo është një nga shkaqet se përse policia po dështon në zbulimin e ngjarjeve. Një ish-oficer pohon për Gazetën “Si”, se shkatërrimi i sistemit të gradave, shkatërroi po ashtu motivimin e policëve, aq më tepër që edhe kur ato i fiton në Akademinë e Rendit, sërisht përveç viteve të shumta në detyrë, mbi të gjitha duhet të kesh një komponent shumë të rëndësishëm, që është miku apo diçka më e “rëndë” dhe interesa të tjera.

Lleshaj

Pasi mori detyrën ministri Sandër Lleshaj u tregua i hapur për prurjet inteligjente në polici. Dhe kjo nuk ishte aspak një risi. Për shkak se fusha e hetimit në polici përfshin edhe shkenca të tjera që kanë të bëjnë me këqyrjet, ekspertizat e ADN-së apo edhe rekrutimi i poliglotëve, përthithja e këtyre talenteve është diçka që ndodh prej vitit 2000. Por nga një hulumtim faktesh të kryer nga Gazeta “Si”, rezulton se përpjekjet e fundit të Ministrit të Brendshëm për të pasur më të mirët, në fakt bien në kontradiktë me konkursin tjetër që ndodh që prej vitit të parë kur është hapur shkolla e policisë që në atë kohë quhej Akademia e Rendit. Gazeta “Si” po rendit kundërshtitë.

Nga njëra anë Policia e Shtetit njofton se 246 studentë me rezultate të shkëlqyera nga degët ekonomik, juridik dhe tekonologji informacioni kanë aplikuar për 100 vende për t’u bërë oficerë të hetimit dhe të krimit. Gara u hap pas datës 4 korrik sipas thirrjes së Ministrisë së Brendshme, e cila ashtu siç tranzicioni që po kalon aktualisht policia, edhe ajo disa herë ka vuajtur për emrin, disa herë quhej Ministri Rendi e shpesh Ministri e Brendshme. Por edhe pse ndryshe nga çdo shtetas tjetër që ka mbushur moshën dhe që konkurron për të qenë polic, duke e nisur nga grada më e ulët që është nëninspektor, “elitarët e ministrit” do të jenë të privilegjuar jo vetëm për marrjen e gradës duke kapërcyer katër grada. Thënë ndryshe, dhjetë vjet në polici që i duhet një polici të thjeshtë deri sa të përfundojë oficer hetimi. Ata do të jenë të privilegjuar sepse nuk do t’i nënshtrohen konkursit. Dyshimet janë se përzgjedhja e 100 të përzgjedhurve pas verifikimit nga drejtoritë në qarqe, do t’u nënshtrohen vetëm dy kontrolleve që janë krejtësisht relative. Dy provat e të privilegjuarve do të jenë vetëm testi i anglishtes dhe kontrolli mjekësor. Në veçimin e tyre nuk ka asnjë test fizik… Por ndërkohë, në të njëjtën kohë, krejt ndryshe ndodh me ata që në shtator i hynë garës për t’u bërë policë. Ashtu sikundër dhjetëra policë, siç edhe 224 dëshmorët e policisë të vrarë nga krimi që Sandër Lleshaj përmend shpesh, në garë hynë 2120 djem dhe vajza. Ata që do të fitojnë, do të bëhen policë dhe do ta nisin me gradën më të ulët “Inspektor”. Për të shtuar një gradë më të lartë, pra “kryeinspektor”, pastaj “nënkomisar”, atyre do t’u duhen 15 deri në 20 vjet përvojë në hetim, luftë ndaj krimit, dështim në luftë ndaj krimit, njohje të terrenit, sfida se si të fitojnë informatorët e të tjera. Diskriminimi i parë për gradat është pikërisht ky. Por diskriminimi tjetër nis që në garë. 2120 konkurrentët kishin për detyrë sipas ligjit që fillimisht t’i nënshtrohet testit me shkrim. Më tej ata kanë si kusht testin fizik, por sërisht nuk mbaron këtu. Fazat e tjera të tyre janë intervistë me gojë dhe ushtrime vlerësuese: Testim psikologjik; Kontroll shëndetësor; Marrje e shenjave të gishtave për të kryer kontroll mbi figurën e tij; Verifikim i aplikantit, por jo vetëm i tij. Së bashku me të, policia verifikon lidhjet e tij familjare vetëm pasi ai ka firmosur një formular ku tregon nëse ka persona me probleme kriminale në fis. Në rast se aplikanti që ka kaluar të gjitha vështirësitë e mësipërme ose njëri nga familjarët e tij ka probleme dhe është i implikuar në veprimtari kriminale, ai skualifikohet dhe humbet të drejtën për të konkurruar sërisht në polici.
Një profesor pranë Akademisë së Sigurisë tregon për Gazetën “Si” se jo më kot ligji ka radhitur gjithë këto kushte dhe etapa. “E gjitha kjo sitje kryhet për të futur në sistem policë të sigurtë, ndryshe nga ekselentët për të cilët do të kontrollohen vetëm për anglishten dhe për analizat e gjakut dhe që askush nuk di të thotë se ku do ta gjejnë ekspertizën e duhur pë të hetuar krimin, sipas gradës që do t’u jepet sapo të diplomohen dhe që në fakt pa provuar asnjë ditë policimi do t’i dërgojë ata direkt e në drejtimin e komisariateve”. Por ata që quhen “ekspertë të policisë” nuk pranojnë të flasin me identitet, pasi sipas tyre jo vetëm ua ndalon ligji, por do të shkaktonin mëri tek liderët e sotëm të Policisë së Shtetit, ku edhe numri një i saj, e ka marrë gradën pikërisht për shkak të detyrës që iu besua dhe jo sepse ai përmbushte kushtet apo edhe kriteret e karrierës në polici.

Testi i policëve.. dhe shkeljet e një gare të dështuar

Por ndërsa Ministria e Brendshme dhe pas saj Policia e Shtetit bën fushatë për të përthithur studentë të cilët do të promovohen pa qenë mirëfilli policë në detyrë, e kundërta ndodh për të përthithur dhe futur në sistem policë që hap pas hapi rriten në karrierë dhe nga policët e lagjes, të cilët njohin tipat më problematikë dhe që në vazhdim, bashkë me eksperiencën, mbledhin të dhëna edhe për personazhet e rëndësishëm të botës së krimit. Në fakt, interesimin e 2120 shtetasve për të konkurruar përmes hallkës së vështirë, Policia e Shtetit e pompoi si një histori suksesi, pasi sipas saj me këtë numër të lartë tregohet besimi i publikut tek policia.

Por Gazeta “Si” u interesua për rezultatet e deritanishme të kësaj gare. Dhe rezulton se për këtë garë policia kishte ftuar më të dobëtit. Rezultatet e testit me shkrim tregojnë se testin sipas kritereve normale për një garë, e fituan vetëm tre djem, që janë Eljo Pirra, Jakov Jakaj dhe Ani Sema. Të cilët morën nga 71 pikë. Gjithë të tjerët ishin nën pragun e pranimit, duke u mbyllur listën me pikët minimale (38 pikë). Shkelja e parë - shprehet një burim i Gazetës - u krye nga vetë drejtori i Policisë, i cili kishte detyrimin ligjor që të caktonte kufirin minimal të pikëve për fituesit, si edhe peshën specifike që do ketë secili prej testimeve.

Burimi shpjegon se fiks pas pesë ditëve nga testimi me shkrim, Drejtori i Përgjithshëm nxori urdhërin 1064/1, sipas të cilit pragu minimal për fituesit do të ishte 38 pikë. Pra, edhe pse gara ishte shumë e dobët me pikë, ajo nuk u anullua por vazhdoi më tej, duke kaluar nga tre fitues që kishin kaluar 70 pikët, në 1040 fitues, të cilët sipas rezultatit në rend zbritës do t’i nënshtroheshin testit fizik.

Urdhëri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Gazeta Si, 21 shtator 20119

Policë të fortë, por pa mendje..

Testi fizik i njoftuar nga burimet njerëzore, i vendosi në dijeni 1040 aplikantët se do t’u nënshtroheshin garave në vendin ku stërvitej RENEA, në Yzberisht. Për çudi, pikërisht në këtë test, Drejtori i Përgjithshëm vendosi stekën e lartë, pra si prag për garuesit ishte norma 70 pikë e lartë. Kushdo që nuk i kalonte këto pikë nuk do të kalonte në provën e radhës. Këtu vazhdon çudia e konkurrimit. Ata që ishin më të dobtit, si përshembull pretendentë si shtetasja Anxhela Koçiu me 39 pikë në testin me shkrim, në testin fizik ajo ka shkëlqyer dhe ka marrë 90 pikë. Për të parin që fitoi pikët maksimale në testin me shkrim, testuesit u treguan dorështrënguar dhe mezi i kanë dhënë 81 pikë, për fituesin e dytë janë dhënë vetëm 77 pikë dhe për të tretin që fitoi testin me shkrim dhe shkëlqeu në provim, testuesit e ngelën në testin me shkrim duke i dhënë 67 pikë. Epo dikush duhet t’i thotë Ministrit të Brendshëm se gjatë testimit fizik, shumë të tjerë që qarkullojnë tek 38 pikët, çuditshëm kanë fituar garën duke u ngjitur në listë me 90 pikë në testin fizik! Me siguri ata duhet ta lënë pas edhe Van Damin në sporte dhe kushedi sa kanë shkëlqyer fizikisht duke fituan testin. Por kjo s’ka rëndësi, sepse testimi u monitoria edhe nga vetë Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Dhe kësaj radhe për të për policë mirëfilli, është më e rëndësishme forca! Ndaj mos u habisni nëse me këtë filozofi që po ndiqet, nesër të keni shefa që nuk ia kanë haberin hetimit dhe policë që do të jenë veç të fortë, të shkathët por … gjithashtu edhe furnizues të folklorit me barcaleta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë