Ngjarje

Kriza në arsim, me kërkesa të njëjta por mësuesit që protestojnë janë të ndarë dhe të paktë

Nga 28 mijë mësues në total në të gjithë vendin, sot në protestë nuk ishte as 1% e tyre
Kriza në arsim, me kërkesa të njëjta por mësuesit që protestojnë janë të ndarë dhe të paktë

Nga Gazeta Si - “Është e trishtë! Nuk di të them fjalë tjetër. Është e trishtë që të gjithë po protestojmë për të njëjtat kërkesa por jemi të ndarë”, thotë një nga mësuesit që ishte pjesë e protestës para Ministrisë së Arsimit.

Për shkak të mosmarrëveshjeve me njëra-tjetrën, dy sindikata të arsimit kanë protestuar kryesisht për dinjitet por në kohë të ndryshme, ku ‘me konsensus’, njëra sindikatë priti që të mbarojë protestën tjetra që më pas të fillojë.

Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë (SPASH) ishte e para që nisi protestën, ashtu siç e ka edhe emrin, “e pavarur” nga sindikata tjetër, e cila për ironi, është “Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar” (SBASH).

Mësuesit, anëtar të sindikatave u shkëmbyen pak poshtë Ministrisë së Arsimit, ku vazhduan të ecnin edhe pa e përshëndetur njëri-tjetrin, me pankarta në duar që shkruanin të njëjtat kërkesa: Dinjitet, pagë më të mirë, teknologji në çdo shkollë, rishikim të teksteve shkollore etj.

Alma Lama, kryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shqiptar, e pyetur nëse presin rritjen e pagës, siç ka premtuar Kryeministri Rama, tha për Gazetasi.al se nuk kanë besim.

“Arsyeja pse nuk kemi besim është se kemi më shumë se 3 muaj që ministria pohon në rrjetet sociale dhe deklarata por ende nuk kemi parë një VKM apo një dokument që shpjegon zërat e pagës së re. Kjo do na jepte siguri”, tha Lama, duke shtuar se mësuesit e dinë shumë mirë se në cfarë niveli duhet të jetë arsimi dhe deri më tani janë të zhgënjyer nga politikat që janë ndjekur.

Isa Halilaj, zv/president i SPASH thotë se arsimi është drejt “vijës së kuqe”.

“Në fshatra po braktiset shkolla. Mungojnë mësues edhe në Tiranë për arsimin parashkollor dhe fillor”, tha Halilaj.

“Duhet dyfishim i pagave që profesioni i mësuesit të bëhet profesion i kërkuar nga maturantët. Në degët e mësuesisë, në Elbasan, Gjirokastër, Shkodër, Korçë janë mbyllur fare. Degët e Matematikës, Fizikës, Kimisë, Biologjisë është një numër i vogël i studentëve që është i pamjaftueshëm për të zëvendësuar mësuesit që dalin në pension. E ardhmja e mësimdhënësve lë shumë për të dëshiruar”, tha një përfaqësues.

Edhe pse të ndarë, mësuesit janë të lumtur që ishin të shumë në numër

Pavarësisht problematikave, mësuesit janë të lumtur që ishin të shumtë.

“Do ishim më shumë por ka ende mësues që nuk dalin të protestojnë sepse kanë shqetësimin mos humbin vendin e punës”, tregon një nga mësueset.

Lama tha për Gazetasi.al se është e lumtur që protestës i janë bashkuar edhe mësues të rretheve.

Ajo gjithashtu tha se do vazhdojnë më tej me peticione dhe hapa të tjerë.

Një tjetër mësues tha për Gazetasi.al se tekstet shkollore janë të një cilësie të dobët.

“Janë shtëpitë botuese apo Ministria e Arsimit, këtë nuk e dimë. Di vetëm se tekstet shkollore janë një skandal dhe ka shumë mësues që ankohen për to”, tha një mësues i cili vinte nga Kavaja për të protestuar.

Ai tregon për Gazetasi.al se në rrethe nuk ka infrastrukturë dhe teknologji, ku shkollat në periferi janë pa një klasë teknologjie ose kanë klasë por nuk funksionojnë kompjuterët.

Mësuesit i janë drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministres së arsimit Ogerta Manastirliu që të reflektojnë. Ata shprehën se në të kundërt në tubimi tjetër do të jetë edhe më masiv.

“Zbatoni kontratën kolektive. I jepni mësuesve 10 muaj transport jo 9, nuk mund të ikim me paratë tona. Transporti të jetë në masën 100 për qind. Financoni arsimin publik ndryshe nuk ka arsim cilësor. Kërkojmë reflektim të shpejtë, në të kundërt në tubimin tjetër do jemi shumë më shumë se kaq”, u shpreh një prej tyre, duke shtuar se do presin deri në shtator dhe nëse nuk ka një reagim, do përshkallëzohen protestat dhe mund të shkojnë deri në grevë.

Dy sindikatat, pavarësisht problematikave mes tyre, protestuan me qëllime të njëjta dhe ndoshta, thonë ato, ishte e nevojshme që t'i dëgjonim problematikat e arsimit dy herë...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë