Ekonomi

Kriza energjitike në Europë e shpjeguar me katër grafikë

Çmimet e gazit kanë fluturuar në Europë, teksa vendet janë duke dalë njëra pas tjetrës nga kufizimet e Covid-19 dhe ekonomitë po rrisin konsumin. Kriza ka nisur që të japë ndikimet e veta te faturimi i qytetarëve.

Kostoja e gazit tashmë është gjashtë herë me e lartë se vitin e kaluar dhe çmimi vazhdon të rritet dhe me gjasa kriza nuk do të mbyllet para pranverës së vitit të ardhshëm, kur kërkesa për gaz të bjerë sërish.

Qeveritë njëra pas tjetrës po reduktojnë shpenzimet e tepërta financiare për rimëkëmbjen ekonomike dhe premtimet për reduktim taksash janë lënë mënjanë për momentin në përpjekje për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e çmimeve.

Burimi Eurostat

Çmimi i gazit nga ana tjetër po kushtëzon edhe rritjen e çmimit të energjisë, pasi më shumë se një e pesta e energjisë elektrike të Europës vjen me burim nga gazi natyror.

BE është e varur fort nga importet për gaz natyror, teksa prodhimi vendas ka rënë. BE importoi afër 90 për qind të gazit në 2019, sipas Eurostat. Eksportuesi kryesor është Rusia, me 43.4 për qind të sasisë, ndjekur më pas nga Norvegjia.

Ka pasur debate këtë vit mbi varësinë e Europës nga gazi rus dhe janë hedhur dyshime se Moska po refuzon rritjen e prodhimit për të detyruar BE që të hapë gazsjellësin Nord Stream 2, i sapo përfunduar, por që nuk është vënë ende në punë për shkak të kundërshtive politike që janë udhëhequr nga SHBA.

Shqetësimi tjetër në BE janë edhe depozitat e gazit, që janë në nivele më të ulta nga sa ishin vitin e kaluar në të njëjtën periudhë.

Inflacioni ka kërcyer në 3.4 për qind në vendet e Eurozonës, ndërsa inflacioni vetëm në sektorin e energjisë ka arritur 17.4 për qind, nga -8.4 për qind që ishte shtatorin e vitit të kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë