Greqia ka vendosur të veprojë ndaj turizmit masiv që ka zaptuar vendin, që nga ndalimi i subjekteve me qira afatshkurtër e deri tek trafiku i anijeve turistike.
Bizneset e kësaj industrie kanë njoftuar se këto kufizime do ta dëmtojnë rëndë sektorin.
“Turizmi e mbështet ekonominë me burime të ardhurash dhe vende pune, por duhet të paguajë dhe kostot sociale që ka”, tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis gjatë kohës që po prezantonte masat.
Edhe vendet e tjera si Spanja e Italia janë të shqetësuara nga dëmtimi i komuniteteve lokale e mjedisit, si pasojë e turizmit masiv .
Ministrja e Turizmit, Olga Kefalogianni tha për Financial Times: “Nuk ka mbiturizëm në Greqi. Ajo që ne po shohim është përqendrimi i tepërt në zona specifike gjatë periudhave të pikut.”
Kefalogianni tha se shtetit i duhet të balancojë rritjen e turizmit me mbrojtjen kulturore dhe natyrore të vendit, duke siguruar dhe mirëqenien lokale.
Ekonomistët thonë se turizmi kontribuon në 25% të ekonomisë greke dhe Mitsotakis këmbënguli se ajo do të vazhdojë të jetë me rëndësi. “Është shumë e rrezikshme ta paraqesësh Greqinë si një vend që nuk është mikpritës për turistët,” tha ai.
Mitsotakis njoftoi vendosjen e një tarife deri në 20 euro për pasagjerët e anijeve turistike në ishujt më të njohur si Santorini dhe Mykonos. Gjatë muajve të verës, anije të shumta, disa me mijëra vizitorë, ankorohen çdo ditë në destinacionet më të njohura.
George Koubenas, kreu i unionit të Pronarëve të Anijeve në Greqi tha se vendimi targeton padrejtësisht pasagjerët. “Vizitorët e anijeve nuk e përdorin infrastrukturën lokale si uji apo elektriciteti në të njëjtën masë si turistët e tjerë”, tha Koubenas duke sugjeruar një tarifë më të ulët për të gjithë turistët, sicc po e bën Venecia p.sh.
Pas kufizimeve të ngjashme në Spanjë, edhe Greqia po rregullon tregun e banesave Airbnb. Mitsotakis njoftoi ndalimin e qirave afatshkurtër në tre zona të Athinës, për të paktën 1 vit. Turistët shpesh fillojnë ose përfundojnë pushimet e tyre në kryeqytetin historik grek përpara se të shkojnë në një ishull.
Andreas Chiou, president i Shoqatës Greke të Menaxherëve të Pronave, tha se ndalimi ishte nxitur nga presioni nga pronarët e hoteleve të cilët i shihnin qiratë afatshkurtra si një kërcënim konkurrues. “Nuk ka mbingopje të tregut për shkak të qirave afatshkurtra,” tha ai. Ai kritikoi gjithashtu një masë tjetër të re që nxit pronarët e pronave të kalojnë në qiratë afatgjata që përfshin një tavan tre-vjeçar.
“Si mund të fitojnë pronarët e pronave, të cilët rinovuan shtëpitë e tyre për qira afatshkurtër, me qiratë afatgjata?” Chiou pyeti, duke paralajmëruar se pronarët mund të ndalonin përdorimin e platformave zyrtare për të promovuar pronat e tyre, siç ka ndodhur në qytete të tilla si Nju Jorku.
Një raport nga Grant Thornton për Dhomën e Hoteleve të Greqisë tregoi se qiratë e pushimeve u rritën 28% midis 2019 dhe 2023, me pronat e disponueshme duke u dyfishuar në atë periudhë. Përkundrazi, disponueshmëria e shtretërve të hoteleve u rrit vetëm 3.5%.
Mitsotakis njoftoi gjithashtu se një taksë e krizës klimatike do të vendoset për qëndrimet në hotele dhe qiratë afatshkurtra nga prilli deri në tetor, me të ardhurat që do të shkojnë drejt përmirësimit të infrastrukturës në zonat turistike.
“Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave do të kthehen në komunitetet lokale, duke i lejuar ata të përgatiten më mirë për barrën me të cilën përballen çdo verë,” tha Mitsotakis.
Italia kohët e fundit propozoi rritjen e taksave turistike për të promovuar udhëtime të përgjegjshme. Propozimet e saj të reja mund t’i shohin turistët të paguajnë një tarifë deri në 25 € në natë për akomodim luksoz.
Yiannis Paraschis, president i Konfederatës Greke të Turizmit, tha se tarifat e vendosura mund ta bëjnë Greqinë më pak konkurruese pasi industria e saj e turizmit po rimëkëmbet ende nga kriza ekonomike një dekadë më parë dhe nga pandemia e koronavirusit.
“Ne duhet të jemi më të kujdesshëm se rivalët tanë mesdhetarë”, paralajmëroi Paraschis. “Në Greqi, turizmi është jetik për ekonominë tonë në një mënyrë që nuk është për vendet e tjera.”
Në vitin 2023, vendi priti një rekord prej 36.1 milionë vizitorësh dhe në gjysmën e parë të 2024, ardhjet e turistëve u rritën me 16% në 11.6 milionë, sipas Bankës së Greqisë, duke e vendosur atë në rrugën e duhur për një numër rekord vizitorësh këtë vit.
Burimi:FinancialTimes
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.