Treg

Kriza e punëtorëve nuk po shërohet as nga vendet e treta

Procedurat e gjata dhe burokracitë po pengojnë rekrutimin. Biznesi kërkon heqjen e vizave për disa vende

Nga Megi Iskurti-Shumë nga punëtorët e vendeve të treta që priteshin të vinin në Shqipëri për të zbutur krizën ofertës kanë ngelur “pezull” nga procedurat e gjata dhe burokracitë.

Të gjendur në kushtet e kësaj situate, bizneset fasonë kërkojnë nga qeveria heqjen e vizave me punonjësit e Nepalit, Sri Lankës dhe Filipineve në mënyrë që Shqipëria të furnizohet me krah pune.

“Aplikimi për lejen e punës dhe vizat po shoqërohet prej kohësh me shumë problematika, shumë burokraci dhe shumë vonesa që vijnë nga zyrat e punës të cilat kanë mungesë stafi dhe njëkohësisht një mori kërkesash për leje pune.

Ndërkohë që kriza për punonjës sa vjen dhe thellohet, për të rekrutuar një të tillë ne duhet të presim minimalisht 100-120 ditë dhe kostoja për secilin është 40 mijë lekë, relativisht e lartë.

Në këtë moment është shumë e rëndësishme që qeveria të heqë vizat me këto vende dhe të thjeshtojë procedurat që vetëm zvarriten në mënyrë që sektori të mos vuajë aq shumë”, thotë për Gazetasi.al Edvin Prençe, Kreu i Shoqatës “Export Albania”.

Edvin Prençe shprehet se sektori ka nevojë për 20 mijë punëtorë

Kjo, sipas tij do u jepte frymëmarrje bizneseve, do eliminonte humbjen e kohës dhe nga ana tjetër do të rriste edhe përfitimet e shtetit nga të ardhurat e paguara për sigurimet shoqërore.

Ai deklaron se një pjesë e këtyre punonjësve që kanë ardhur, prurje që ka qenë në linjë të drejtëpërdrejtë mes biznesit dhe agjencive të shteteve të tyre, kanë rezultuar seriozë dhe me formim profesional.

“Për punonjësit filipinas ka patur aplikime dhe sot e kësaj dite vazhdojnë e punojnë në Shqipëri, ku të dyja palët, si bizneset pritëse ashtu dhe punonjësit janë shumë të kënaqur përsa i takon raportit midis tyre dhe produktivitetit që ato kanë”, vijon më tej ai duke shtuar se ata nuk kanë probleme familjare dhe gjithashtu janë anglishtfolës të mirë.

Por problemi nuk qëndron vetëm tek zyrat e punës, pasi shpesh edhe vetë ndërmarrjet që kanë punësuar të huaj gjatë kësaj kohe nuk janë treguar korrektë si me kontratat ashtu edhe kushtet e tjera.

“Punëtorëve që vijnë nga vendet e Botës së Tretë u sigurohet nga bizneset edhe akomodimi e ushqimi. Kur vetë ndërmarrjet të cilat i kërkojnë dhe kanë nevojë për to, nuk u qëndrojnë kushteve të parapërcaktuara, krijohet menjëherë një imazh jo i mirë i vendit ndaj punonjësve të huaj”, tha për Gazetasi.al Klajdi Jaupi, agjent nga agjencia “Connection Project” e cila operon prej disa vitesh në shumë vende të Europës e Ballkanit e së fundmi edhe në Shqipëri

Jo vetëm për fasonet, nisma e pasuksesshme edhe për sektorët e tjerë të ekonomisë

Enri Jahaj, Kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve pohon gjithashtu se masa ka dështuar, ku sipas tij, disa strukturave akomoduese së fundmi u janë larguar 40 deri 50 punonjës të rekrutuar, pasi Shqipëria po përdoret prej tyre si vend trampolinë për të emigruar drejt Europës.

Enri Jahaj pohon gjithashtu se masa ka dështuar edhe sipas tij

 Për të mbushur boshllëkun me punonjës sektori i bareve dhe restoranteve po punëson punonjës nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, por në shifra shumë të ulëta.

Për emigrimin drejt Europës, Gazetasi.al ka shkruar edhe para disa kohësh ku shpjegoi se duke qenë se Shqipëria është një shtet shumë afër vendeve të zhvilluara, punonjësit që ofrohen për punë, do e përdorin këtë mundësi për të emigruar pas pak muajsh në një vend më të zhvilluar europian.

Punësimet e grave po rezultojnë më të suksesshme se marrja e burrave, pasi është shumë herë më i vogël risku për largimin e tyre, ndërsa garancia e dhënë nga ambasadat e shteteve përkatëse, për kontratat e rekrutimeve është një element shtesë për moslargimin e tyre.

Gazetasi.al tha atëherë se “është e qartë që punëtorët nga vendet e varfra që vijnë në Shqipëri janë një ndihmë e përkohshme dhe dëshmi që për sa kohë Shqipëria është një destinacion, aq kohë vendi ynë do ndihet në krizë për njerëz që punojnë”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë