Treg

Feja, paga dhe kufiri pranë BE-së, oazi i punëtorëve të huaj në Shqipëri

Me zbehjen e ngadaltë të efekteve të pandemisë jo pak biznese në Shqipëri e panë veten në kushtet e mungesës së punonjësve, por megjithatë e gjetën zgjidhjen.

Në vend kanë nisur të këmbehen forcat e punës. Shqiptarët e kualifikuar po ikin dhe në vend të tyre po vijnë krah pune nga Bangladeshi, Nepali e India.

Këto vende ofrojnë punëtorë që po u përshtaten gjithnjë e më shumë kostove të bizneseve shqiptare, kryesisht atij fason.

“Në shtetet e tyre përkatëse punëtorët e këtyre vendeve paguhen 40 dollarë në muaj, prandaj zgjedhin të vijnë në vende si Shqipëria ku mesatarja shkon deri në 300 euro.

Ata janë të interesuar për disa punë, jo për çdo lloj pune por kryesisht për punë pa kualifikime ose me aftësi mesatare. Megjithatë, përgjithësisht janë të kualifikuar në të gjitha llojet e niveleve. Krahasojnë rrogat dhe më pas vendosin që të vijnë”, thotë për Gazetasi.al Klajdi Jaupi, një agjent që punon në agjensinë “Connection Project” e cila operon prej disa vitesh në shumë vende të Europës e Ballkanit e së fundmi edhe në Shqipëri

Klajdi Jaupi, agjent në agjensinë “Connection Project”

Ai shton se punëtorëve që vijnë nga vendet e Botës së Tretë u sigurohet nga bizneset edhe akomodimi e ushqimi. Megjithatë jo pak herë operatorët e agjensive rekrutuese shprehen se tregu shqiptar i punës po tregon  se ka probleme me informalitetin, kontratat e punës e sidomos burokracitë.

Klajdi tregon për Gazetasi.al se numri i bizneseve që po kontaktojnë agjensinë për të firmosur kontrata sa vjen dhe po rritet.

“Aktualisht janë mbi 30 biznese që kanë nënshkruar për të rekrutuar punëtorë, përfshi këtu hotele,fasoneri, mobilieri dhe mirëmbajtje rrugësh.

Një fasoneri që është shumë e madhe dhe po hap pikën e saj të pestë tani ka nevojë për 1500 punëtorë. Një tjetër në Elbasan ku investitori është nga Italia ka nevojë për më shumë se një mijë punëtorë vetëm në fillim. Kërkesat sa vijnë dhe rriten e tregu duket i etur.

Ne shohim tregun, vizitojmë fabrika, shohim lajmërime dhe afishime të ndryshme nëpër faqe dhe pastaj shkojmë mbrapsht në këto vende. Shohim cilët janë punonjësit që kanë vullnet të udhëtojnë dhe të pranojnë kushtet. Të interesuarit dorëzojnë CV të cilat pasi përzgjidhen nga zyra kryesore u dërgohen më tej punëdhënësve”.

Pavarësisht ndryshimit të ligjit për punësimin e të huajve, ka sërish burokraci nga zyrat e punës për regjistrimin e tyre gjë që e zvarrit shumë procesin për ardhjen e punëtorëve.

“Ka ndërmarrje që kanë punësuar të huaj që gjatë kësaj kohe nuk janë treguar korrekte me kontratat dhe kushtet e tjera, duke krijuar një imazh jo të mirë të vendit ndaj punonjësve të huaj. Por në fakt agjensia jonë është një ndër të paktat që paguan avokat që t’i kalojë komplet procedurat noteriale. Ne duam që punëdhënësi të jetë i sigurt për çështjen e procedurave. Edhe vizat nga ambasada i sigurojmë ne. Ata duan përgjithësisht një muaj të dalin por po vonohen shumë. Procesi po zvarritet.”

Një punëtor nga Bangladeshi i punësuar në një fabrikë të trajtimit të mbetjeve shtazore në qytetin e Lezhës

Punëtorët duhet të sjellin dhe dëshminë e penalitetit që të vërtetojnë se nuk ndiqen penalisht. Në fillim ata janë 30 ditë në provë. Gjatë këtij afati kohor nëse punëdhënësit nuk i pëlqen performanca e punëtorëve, agjensia  i zëvendëson me punëtorë të tjerë pa pagesa shtesë.

Ndërmjetësi merr një komision i cili është tarifë e diskutueshme. Para se të firmoset kontrata paraprake bëhet kompromis me punëdhënësit. Nëse ata marrin përsipër akomodimin, ulet komisioni. Por zakonisht varion nga 50 deri në 200 euro për punëtor.

Edvin Prençi, kryetar i Shoqatës “Pro Eksport Albania” pohon të njëjtën mungesë të madhe punëtorësh për Gazetasi.al.

Edvin Prençe

“Mungesa e rreth 15.000 personave që nuk janë rifutur në sektor, për shumë arsye personale të punonjësve, emigrimi pas hapjes së kufijve, stina e verës me sezonin e plazhit, marrja e asistencës sociale si të papunë e shumë arsye të tjera, po ndihet shumë në sektor.

Duhet tashmë që çdokush nga ne ta kuptojë që në një ekonomi të hapur dhe globale, me shumëllojshmëri ofertë/kërkese nuk mund të quajmë tabu ose gabim marrjen e punonjësve të huaj. Ajo është një nevojë emergjente dhe madje ndikon në  rritjen zhvillimin e vendit tonë”-tha ai.

Deri tani në Shqipëri kanë mbërritur mbi 100 punëtorë dhe pritshmëritë kanë qenë përgjithësisht pozitive për të dyja palët.

“Janë shumë kompani që duan të punësojnë shumë më shumë. Si fillim, shumica e punëtorëve  ndihen si në shtëpi. Një pjesë e madhe e tyre janë religjiozë, janë praktikantë  muslimanë dhe e ndiejnë veten si në shtepi nga fakti që këtu mund të gjejnë xhami afër vendqëndrimit të tyre.

Ata shprehen se përgjithësisht në Shqipëri mund të jetosh mirë për sa kohë ke një vend ku të qëndrosh dhe një rrogë.”

Connection Albania e cila operon prej disa vitesh edhe në Kroaci, Maltë, Serbi,Bullgari, Rumani e Çeki shpjegon pse në Shqipëri shumica e fuqisë punëtore të pakualifikuar vjen nga bota e tretë..

“Çdo vend ballkanik ka specifikat e veta dhe kërkesat e veta. Në disa vende specifike ka një kërkesë të përbashkët tregu për ndërtues dhe punëtorë që lidhen me ndërtimin.  Ata po kërkojnë më të mirën për ta, dhe shpesh zgjedhin Shqipërinë.

Duke qenë se Shqipëria është një vend europian, shumë afër vendeve të zhvilluara, punonjësit që ofrohen për punë Shqipëri, e përdorin këtë mundësi për të emigruar pas pak muajsh në një vend më të zhvilluar europian por sipas eksperiencës shumëvjeçare të kësaj agjensie, nuk është bërë ende normë që njerëzit të vijnë dhe të ikin menjëherë.

Ata i respektojnë kontratat e tyre të punës dhe punojnë për të marrë pagat që përgjithësisht i dërgojnë në vendlindjet e tyre për të ndihmuar familjet”.

Tanimë është e qartë, punëtorët nga vendet e varfëra që vijnë në Shqipëri janë një ndihmë e përkohshme dhe për dëshmi për sa kohë Shqipëria është një destinacion, aq kohë vendi ynë do ndihet në krizë për njerëz që punojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë