Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar dhjetë ditë me vonesë në lidhje me deklaratën e përfaqësuesit ndërkombëtar të Operacionit të Monitorimit, Theo Jacobs. Ky i fundit qortoi prokurorët e posaçëm mbi cilësinë e hetimeve në rastin e anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci dhe tha se disa prej tyre (prokurorëve) nuk e meritonin që të ishin në SPAK.
“Deklaratat publike (qofshin edhe personale), që venë në dyshim integritetin dhe/ose profesionalizmin e prokurorëve janë të qortueshme pasi sistemi ynë ligjor ofron mjete dhe procedura të përshtatshme për trajtimin e cdo pretendimi që lidhet me profesionalizmin dhe integritetin e prokurorëve. Çdo pretendim i këtij lloji nuk mund të trajtohet veçse në mënyrën e parashikuar nga ligji dhe institucionet e parashikuara nga ligji. Në të kundërt, çdo diskutim është i destinuar të jetë vetëm një opinion, që vetëm cenon në mënyrë të padrejtë imazhin, edhe kështu të brishtë të institucioneve të reja të drejtësisë”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Sipas Kushtetutës, KLP është organi që garanton llogaridhënien, profesionalizmin, integritetin dhe statusin e të gjithë prokurorëve, përfshi këtu edhe të prokurorëve të SPAK. Nisur nga kjo detyrë, KLP thotë se nuk mund të shpërfillte këto deklarata të Theo Jacobs.
Megjithëse në reagim nuk ja përmend emrin në asnjë moment, KLP hedh poshtë edhe pretendimet e Jacobs mbi profesionalizimin e trupës së SPAK dhe u kujton ndërkombëtarëve se prokurorët në fjalë e kanë kaluar procesin e vettingut.
“Ne zhvilluam një proces tepër kërkues dhe transparent, i cili zgjati 9 muaj. Në kuadër të atij procesi ne verifikuan në detaj profesionalizmin dhe integritetin e të gjithë kandidatëve. Kujtojmë se pavarësisht verifikimeve tona të thella, kushti mbi kushtet për të gjithë kandidatët ishte kalimi me sukses i sprovës së vettingut”, deklaron KLP.
Më 17 korrik, gjatë seancës dëgjimore të KPK-së për gjyqtarin Selim Kryeziu, vëzhguesi i ONM-së, Theo Jacobs tha se “prokurorë dhe gjykatës që nuk duhej të ishin pjesë e SPAK ngritën akuza për vepra penale që nuk ishin vepra penale”.
Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja reagoi menjëherë duke thënë se ONM duhej të kishte reaguar në lidhje me prokurorët e strukturës që drejton kur kishte kohën dhe jo tani. Ai garantoi se prokurorët janë të pastër dhe mbrojti punën e tyre në rastin e hetimit të gjyqtarit Luan Daci, që së fundmi u mor edhe zyrtarisht i pandehur nga SPAK për akuzën e falsifikimit të dokumentacionit, pasi dyshohet se ka fshehur një vendim shkarkimi të 1997, që mund ta përjashtonte automatikisht nga gara për t’u bërë pjesë e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.