Nga Gazeta ‘SI’- Qeveria ka miratuar një vendim të ri lidhur me licencat e prodhimit dhe transportimit të kanabisit në vend.
Për çdo fazë të punës nga importi i farës, kultivimi, përpunimi, magazinimi dhe transporti e eksporti kërkohet një leje e veçantë si edhe një marrëveshje ekzistuese midis subjekteve.
Kriteret për të marrë lejen përfshijnë regjistrimin në QKB, pasjen e një plani biznesi 5-vjeçar, dokumentimin e marrëdhënies me tokën, rregullore të brendshme administrative, plan trajnimi për punonjësit dhe performancë pozitive financiare. Subjektet duhet të mos kenë detyrime të prapambetura ndaj tatimeve, energjisë dhe ujit dhe të kenë staf të përputhur me ligjin në fuqi për pastërtinë e figurës dhe etikën profesionale. Ligji kërkon që subjektet të kenë edhe dokumentacion teknik për ambientet, planimetrinë dhe pajisjet e nevojshme për magazinim e përpunim.
Çdo aktivitet që përfshin kultivim, përpunim apo prodhim kërkon hartimin e procedurave standarde të punës për secilën fazë të procesit sipas EU-GACP dhe në rastin e produkteve përfundimtare edhe sipas EU-GMP, HAÇP dhe ISO për produktet kozmetike e ushqimore.
Subjektet që merren me import të farës, fidanit apo klonit duhet të kenë një marrëveshje paraprake shitjeje me subjektin kultivues. Subjektet që ushtrojnë kultivim duhet të kenë një plan zhvillimi dhe prodhimi të miratuar paraprakisht.
Në çdo rast, leja nuk jepet nëse mungon marrëveshja për shitjen e lëndës së parë ose të produktit final me një subjekt pritës të licencuar për përpunim ose eksport. Udhëzimi përcakton që çdo palë e përfshirë në transport duhet të përmbushë kushtet e sigurisë të miratuara nga qeveria dhe të dokumentojë marrëveshjen në lejen përkatëse. Kriteret për të gjitha aktivitetet janë të lidhura me rregullsinë ligjore, kapacitetin logjistik, performancën financiare dhe garantimin e një zinxhiri transparent të prodhimit. Udhëzimi parashikon që çdo kërkesë për leje duhet të përmbushë jo vetëm kriteret e përgjithshme por edhe ato specifike sipas aktivitetit për të cilin aplikohet.
Në përfundim, udhëzimi i ri shfuqizon udhëzimin e mëparshëm të vitit 2024 dhe hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
LEJA JEPET PËR AKTIVITETET SI VIJON:
a) Importi i farës, klonit, fidanit ose bimës mëmë të kanabisit për qëllime industriale, magazinimi dhe transporti i tyre.
b) Kultivimi i bimës së kanabisit për qëllime industriale me qëllim përfitimin e lules, përpunimi fillestar, magazinimi, transporti, si dhe eksporti i nënprodukteve të saj.
c) Kultivimi i bimës së kanabisit për qëllime industriale me qëllim përfitimin e farës dhe fibrës, përpunimi fillestar, magazinimi, transporti, si dhe eksporti i nënprodukteve të saj.
ç) Kultivimi i bimës së kanabisit me qëllim përfitimin e lules, përpunimi fillestar, prodhimi, magazinimi, transporti, si dhe eksporti i nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të bimës së kanabisit.
d) Kultivimi i bimës së kanabisit, me qëllim përfitimin e farës dhe fibrës, përpunimi fillestar, prodhimi, magazinimi, transporti, si dhe eksporti i nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të bimës së kanabisit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.