Në kishën e Shën Kollit të Voskopojës, katër vizitorë të veshur me të zeza mbajnë një meshë, të ndryshme nga ajo që kanë parë afresket e pikturuar nga David Selenica, brenda ndërtesës së ngritur në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit të 18-të
Në emër të Atit,
Që e kërkoj dhe s’e shoh asgjëkund,
Po thonë se banon diku
Në qiejt e lartë, të pafund.
Njëri syresh u drejtohet ikonave në një lutje që rrjedh si poezia dhe tre të tjerët përsëritin në kor, vargje që herë ngjajnë liturgjike, herë mistike e herë të tjera si dëshira të zëshme mishtore…
Piktura ime në qiell, s’ngjan me pikturën time në tokë, është ndryshe,
Atje prej avujsh dhe drite, këtu prej mishi, uji dhe kocke të mprehtë,
Atje një pikture futuriste,
Këtu një statujë e zënë në rrjetën e hijes së vet.
Është poema “Qielli im”, e poetit Ilirian Zhupa, që merr jetë në zërat e Ndriçim Xhepës, Luiza Xhuvanit, Zamira Kitës dhe Kristian Koroveshit dhe jehon, duke i kapërcyer muret e objektit të kultit dhe të trashëgimisë kulturore e mbërrin në kryeqytet në formën e një filmi të shkurtër, prej 36 minutash ,që shfaqet në atriumin e Muzeut Historik Kombëtar.
“Ajo natë në Voskopojë ka qenë magjike, ku kisha ishte vetëm e jona dhe ne iu falëm qiellit”, rrëfen për Gazeta Si aktori Kristian Koroveshi, i cili ishte edhe ideator i projektit që bën bashkë poezinë me teatrin.
“Dialogët midis aktorëve dhe afreskeve, monologët e brendshëm, lutjet mes vargjesh… jam i gëzuar qe e realizuam thuajse si një film”, vijon Koroveshi.

Qielli im, thotë ai, nisi në formën e një ëndrre. “Besoj fort tek një shprehje e Shën Grigor Pallamait kur thotë se substanca njerëzore nuk është pa lidhje me substancën hyjnore”.
Pikërisht për këtë arsye gjithmonë kam dashur që të realizoj një punë artistike në misticizmin dhe shenjtërinë e një kishe”.
Kishës së Shën Kollit iu kthye gjashtë vjet më vonë, nga projekti i parë, të cilin e nisi me aktoren e njohur Roza Anagnosti. Gjatë këtyre viteve aktori i ri, veç roleve në teatër ku ka spikatur në vepra të antikitetit me “Medea” dhe ato shekspiriane me “Hamleti” por edhe me komedi, është përpjekur – duke ia dalë – të ringjallë teatrin e poezisë.
Në një shoqëri të dhënë gjithnjë e më shumë pas spektaklit dhe argëtimit sipërfaqësor Koroveshi shkon thellë, tek magjia e vargut, tek jeta që ndalet duke kundruar bukuritë dhe misteret e botës…

“Qielli im” një triptik i ndarë në Emër të Atit, Të Birit dhe Të Shpirtit të Shenjtë ishte i përsosuri për sfondin e një kishe “…sa hyjnore e tokësore, sa mistike aq edhe e prekshme, sa e paprekshme aq edhe të mbush me shpresë e gëzim dhe të fut në të thellat e të mistershmet e qenies njerëzore”, do të thoshte Koroveshi dhe kthimi i syve nga Zoti merr kuptim edhe më të fortë, në kohë shtrëngesash si pandemia e shkaktuar nga koronavirusi.
Pasqyrë ku shikohen të gjitha dhe s’mbetet asgjë,
Qielli im, fanepsje kujtese dhe ëndrre,
Një jetë të tërë jam endur mes botës që u bë dhe u zhbë,
I veshur me avujt e frymës tënde.
Projektet, të cilat nis dhe i realizon, Koroveshi, thotë se dëshiron të mos i ketë krejt tokësore. “Kjo poemë, nuk ka të bëjë edhe aq me Zotin, sesa me qenien njerëzore në dimensionet apo rrathët e vetëdijes apo nënvetëdijes”.

E deshi këtë vepër të Ilirian Zhupës, për përzierjen thuaje mistike mes shpirtit e trupit, hyjnores e tokësores “atë tokësore qe e mbulon përherë qiellorja e qiellit, që mbajmë mbi shpinë gjersa na rrudh e na thinj, siç thotë Ilirian Zhupa në poemë.”
Qysh kur linda kam dashur të të shoh, të të prek,
Të të mbart mbi shpinë
Si udhëtari bohçen e vet.
Me aktorët Ndriçim Xhepa dhe Luiza Xhuvani, të dashur për publikun në teatër dhe kinema, Koroveshi u ngjit në skenë vitin e kaluar me poezitë e poetit të madh pers, Rumi.
Natë e teatrit të poemës dramatike e quante Koroveshi.
“Rumi është poeti gjenial i lashtësisë perse, ku gjeta ndërthurjen ideale të gëzimit dhe dhimbjes së dashurisë. Ishte poeti magjik, që më çoi në përjetime të jashtëzakonshme emocionale”, shprehej aktori ndërsa “Mbrëmë i pëshpërita një ylli”, titulluar si një prej poezive të Rumit bënte bashkë në një vend, misticizmin Sufi të dijetarit pers dhe mjeshtrit të vargut të dashurisë universale me krishterimin, ku skena e zgjedhur ishte ajo e Katedrales Ortodokse, Ringjallja e Krishtit.

Dashuri kurorë brilantesh
dhimbet mërgojnë
I vdekuri ngjallet nga dashuria,
trupi ynë i gatuar prej dheu
është drita e qirinjve
Udhëtoi me Rumiun, edhe drejt Korçës, ku vite më parë kishte sjellë Rubairat e një tjetër persi të madh, Omar Khajamit së bashku me Ndriçim Xhepën.
I dhënë pas letërsisë perse dhe misticizmit të vargut të sufive, do të zgjidhte të dramatizonte poemën “Ëndërrime” të poetit shqiptar Naim Frashëri, të cilën këtë poemë e pat shkruar në persisht si “Tejahylat” . i solli poezitë nën interpretimin e aktorëve si Margarita Xhepa, Dhimitër Orgocka, Guljelm Radoja, Zamira Kita e Rajmonda Bulku.

E admiroj poezinë, do të pranonte Koroveshi, duke pohuar se e lexon shpesh.
Me një poemë të gjatë i shkoi profesorit të tij, aktorit Timo Flloko vite më parë.
Ishte “Ndreqje gabimesh” e poetit Arian Leka.
E kishte bluar në mendje dhe përpunuar që të interpretohej në formën e monologut, duke zgjedhur Ditën e të Dashuruarve, në shkurt të 2018-s për ta ngjitur në skenë.
Ata ishin një. Një burrë, që i fliste gruas herë me zërin e të riut e herë me atë të përvojës, shoqëruar nga lëvizjet e balerinës Akreoma Saliu.

Një ngjarje që tregonte se teatrit i mjaftonte edhe një poezi, për ta marrë publikun nga ndenjëset drejt e në zhytjen e një universi vetjak, ku premtimet, ëndrrat, jeta, vdekja, trupi, shpirti, ëmbëlsia e thartira bëheshin të secilit.
Dy aktorët në dy figura elegante veshur në kostume të errët që rrinë në dy anët e skenës si të ishin sy skajet e lojës së mendjes –humbnin formë e shkriheshin te secili burrë i ulur në sallën e katedrales Ortodokse, që përpiqeshin të ndreqnin gabimin e një vjetër me një të ri, si rritje, dalje nga vetmja, dëfrim…Edhe këtë poemë do ta çonte në Korçë.
“Është formë e një psikoterapie në momente të caktuara. Mund të jetosh përmes imazheve apo lirizmave të saj, histori që mbase s’i jeton dot”, mendon Koroveshi rreth poezisë, të cilën përpiqet ta ngrejë në një tjetër nivel, duke e nxjerrë nga faqet e librave drejt skenës ku edhe aktorët e njohur i mirëpresin ftesat e këtij të riu që po ringjall magjinë e teatrit të poezisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




