Në vigjilje të Krishtlindjes, kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastas, i është drejtuar me një mesazh besimtarëve.
Me anë të një video-mesazhi, kryepiskopi ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e Krishtlindjes dhe në mesazhin e tij shprehet se në këtë ditë të bekuar, bashkëjetesa dhe pajtimi e paqja qofshin në zemrat e çdo njeriu.
“Pra, në kundërvëniet, në debatet dhe polarizimet, që janë të natyrshme në një organizëm të gjallë, “vetëshërimi” që është dhuratë Perëndie, fuqia e natyrshme e shërimit të çdo trupi është pajtimi. Ky është trajtimi terapeutik në periudha krizash, armiqësish dhe ndasish, një element i domosdoshëm për kohezionin social dhe bashkekzistencën paqësore të njerëzve, të komuniteteve dhe të popujve.
Në një kohë kur ndasitë, tensionet dhe konfliktet po torturojnë botën, do ta kremtojmë Krishtlindjen në mënyrë më esenciale, vetëm nëse marrim pjesë, sipas mundësive tona, në përpjekjet për pajtim në ambientin tonë të ngushtë, në jetën profesionale, shoqërore, kishtare e politike.
Pajtimi kërcënohet vazhdimisht nga egocentrizmi me shfaqjet e tij të ndryshme, si inati, zemërimi, dëshira për hakmarrje. Mënyra me të cilën Biri dhe Fjala e Perëndisë, i buti dhe i përuluri, vjen në historinë njerëzore, përcakton edhe mënyrën se si do të fitojmë mbi egocentrizmin”, shprehet Anastasi.
Kryepiskopi thekson se falja mbetet shprehja më e fortë e fuqisë së dashurisë.
“Parakusht kryesor për pajtimin mbetet falja, shprehja më e fortë e fuqisë së dashurisë. Fjala e Mishëruar, Krishti, këmbënguli që ne të themi vazhdimisht: “dhe falna fajet tona, sikundër edhe ne ua falim fajtorëve tanë…”. Ndjesa mbështet dhe gjallëron solidaritetin, bashkëjetesën paqësore të çdo grupimi shoqëror.
Për të kontribuuar në këtë pajtim, është e nevojshme të jemi pajtuar me veten tonë- me ndërgjegjen tonë, me mundësitë dhe me limitet tona- me qëllimin e jetës sonë. Duhet të përpiqemi vazhdimisht që, me Hirin hyjnor, të paqësohemi “me veten tonë””, shprehet ndër të tjera kryepiskopi.
Ndër të tjera, Anastasi është shprehur se “Viti i Ri le të na sjellë paqe me shpresë gjallëruese, si dhe solidaritet të pandërprerë në sprovat e papritura të jetës. Me dashuri të tërëshpirtshme më Krishtin, i Cili ‘na dha shërbesën e pajtimit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



