Lajme

Më në fund pretenca, Prokuroria: 17 vite burg për Emiljano Shullazin

Gjykata e Krimeve të Rënda u zgjua sot nën masa të forta sigurie. Akset kryesore që lidhin gjykatën ishin kontrolluar e po ashtu përveç forcave të policisë, ishin të pranishëm edhe agjentë krimesh. Prania e shtuar e forcave speciale, madje edhe e një snajper, të jepte idenë se Policia e Shtetit po i tregonte forcën Emiliano Shullazit.

Pas shumë seancave të dështuara, më në fund u arrit të jepej pretenca për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij.

Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi 17 vite burg për Shullazin, ndërsa për Gilmando Danin 15 vite. Ndërkohë, për pjesëtarët e tjerë të grupit Endrit Qyqja e Endrit Zela u kërkua 11 vite burg, ndërsa 10 vite për Blerim Shullazin.

Tre prokurorët e pranishëm në sallë, Gentjan Osmani, Anton Martini dhe Besnik Muçi (mungonte Donika Prela), kërkuan 64 vite burg në total për bandën, ndërsa pohuan se ka prova që Shullazi dhe shokët e tij kanë kryer disa vepra penale.

Pretenca e Prokurorisë për bandën e Shullazit:

Emiljano Shullazi – 17 vite burg

Gilmando Dani – 15 vite burg

Blerim Shullazi – 10 vite burg

Endrit Qyqja – 11 vite burg

Endrit Zela – 11 vite burg

Në seancën e sotme gjyqësore ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe Gjermane. 

Sakaq, Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi nuk ishin prezent në seancë, ndërsa kafazi i hekurt ishte bosh. Në sallën e gjyqit ishin vetëm avokatët e tyre.

Seanca për leximin e pretencës nga organi i akuzës për bandën e Shullazit është shtyrë 6 herë për motive të ndryshme.

Për herë të fundit ajo dështoi më 25 Shtator, kur edhe pse ishin të pranishëm 4 prokurorët e ngarkuar për dhënien e pretencës, në seancë mungoi avokati Aldo Tabaku i të pandehurit Blerim Shullazi.

Banda e Shullazit

Banda e Shullazit akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, kanosje për shkak të detyrës ndaj Mynyr Konit e Dhori Kules dhe shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kundër Ylvi Beqjes për ish-hotel “Vollgën” në Durrës.

Dosja e bujshme “Shullazi” shkaktoi furtunë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi prokurorët refuzuan hedhjen e shortit për këtë çështje pas largimit të Elisabeta Imerajt, që u emërua drejtuese e prokurorisë në Tiranë dhe Eneid Nakucit me pretendimin se është sëmurë.

Kjo situatë solli edhe penalizimin për prokurorët refuzues ndaj të cilëve, për Përparim Kullurin, Behar Dibrën, Arenc Çelën, Edvin Kondilin, Pranvera Pustinën, Eugen Becin dhe Blerim Tominajn, ka nisur një hetim disiplinor, ndërsa Besim Hajdarmataj, Sonila Muhametaj dhe Olsian Çela u transferuan në rrethe. 

Pas shumë debateve u vendos dhe katërshja e tyre, Donika Prela, Gentjan Osmani, Anton Martini dhe Besnik Muçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë