Rend dhe Ligj

Krim në familje dhe konflikte të çastit, 3 vrasje me thikë në pak orë në tre qytete të vendit

Një seri ngjarjesh të rënda dhe të paprecedenta, kanë tronditur vendin gjatë kësaj të marte, duke lënë pas tre viktima dhe një të plagosur në një atentat me tritol, në Durrës, Tiranë, Berat dhe Shkodër

Gazeta Si – E marta e 28 tetorit 2025 ka shënuar një nga ditët më tragjike sa i takon kronikës së zezë në vend.

Tre ngjarje të rënda kanë lënë pas tre viktima brenda pak orësh në Durrës, Tiranë dhe Berat. Viktimat, të moshës 34, 42 dhe 69 vjeç, u vranë të gjithë me thikë.

Nëse në rastin e parë, krimi ka ndodhur brenda familjes, në dy rastet e tjera shkak dyshohet të kenë qenë konfliktet e çastit për motive të dobëta, duke ngritur alarmin për sigurinë publike.

Shtëpia në Durrës ku ndodhi krimi

Në Durrës, një konflikt familjar u kthye në tragjedi, ku Marjan Kodheli goditi me thikë babanë e tij, 70-vjeçarin Pjetër Kodheli, duke i marrë jetën.

Burimet policore bëjnë me dije se autori dyshohet të vuajë nga probleme të shëndetit mendor dhe është larguar menjëherë pas krimit, ndërsa policia vijon kërkimet intensive për kapjen e tij.

Indrit Ismailllari (majtas), mbeti viktimë pas konfliktit në Tiranë me Filip Shehun (djathtas)

Në Tiranë, brenda lokalit “City Lounge” në zonën e “Komunës së Parisit”, një grindje mes punonjësve të stafit përfundoi me një viktimë.

Filip Shehu, 41 vjeç, picier në të njëjtin lokal, mori një thikën dhe goditi kolegun e tij, kuzhinierin 34-vjeçar Indrit Ismaillari, duke e lënë të vdekur në vend.

Pas arrestimit, 41 vjeçari është shprehur para policisë se është ndier i bullizuar dhe i fyer vazhdimisht nga viktima.

Kristo Mema, autor i dyshuar i vrasjes me thikë në Berat

Pa kaluar shumë pas krimit në kryeqytet, në zonën e kalasë së Beratit, 63-vjeçari Kristo Mema, me precedent kriminal, vrau me thikë 42-vjeçarin nga Tirana, Keli Hoxha.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se sherri mes tyre kishte nisur një përplasje për shkak të një kali, me të cilin autori ofronte xhiro për turistët në zonën e kalasë.

Viktima ishte duke vizituar Beratin si turist, ndërsa sipas burimeve, nuk kishte paguar pas fotos që një nga fëmijët e tij kishte bërë mbi kalë.

Makina e shpërthyer me tritol në Shkodër

Autori u arrestua pak orë pas krimit i fshehur tek “Shpella e Memecit, pranë kishës, përballë Urës së Goricës, ku mbante me vete dhe thikën e vrasjes.

Më herët, paraditen e të martës, një shpërthim me lëndë eksplozive tronditi Shkodrën në rrugën “Ndoc mazi”.

Shpërthimi ndodhi pranë automjetit të punonjësit të Tatimeve, Enea Buzukja, i cili u plagos dhe u dërgua në spital për mjekim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë