Përkthyesit shqiptarë tashmë kanë një shoqatë që do t’i përfaqësojë.
Shoqata e Përkthyesve Shqiptarë ‘mori jetë’ më 29 mars dhe ka në krye Rexhep Hidën, një emër i njohur në fushën e përkthimeve dhe editorisë, i cili është dhe drejtuesi i Shtëpisë Botuese “Fan Noli”.
Në një intervistë për Gazetën “Si”, Hida, nismëtari i krijimit të kësaj shoqate, tregon se si lindi ideja për këtë shoqatë, rolin që do të ketë dhe synimet e mëtejshme të saj kushtuar problemeve që has përkthimi në vendin tonë.
Duke synuar rritjen e cilësisë së përkthimeve, Hida thotë se në fokus të punës së tij do të jetë dhe angazhimi dhe promovimi i të rinjve në fushën e përkthimit, ku për t’i specializuar ata do të hapen dhe kurse përkthimi.
Zoti Hida, ju jeni zgjedhur në krye të Shoqatës së Përkthyesve Shqiptarë, si lindi ideja e kësaj shoqate dhe çfarë do të ketë në fokus?
Ideja e krijimit të Shoqatës së Përkthyesve ka shumë vite që zien në kokën time. Këtë gjë e kemi biseduar edhe me mjaft përkthyes të tjerë. Kjo ide lindi duke pasur parasysh përvojën botërore. Në botë çdo profesion ka organizmin apo organizatën e vet profesionale joqeveritare, si p.sh. Shoqata e Gazetarëve, shoqatat për mbrojtjen e mjedisit, etj. Njëkohësisht një arsye tjetër që më ka shtyrë të ndërmarr këtë nismë lidhet me faktin se prej shumë vitesh unë jam anëtar i Federatës Botërore të Përkthyesve (FIT), me seli në Gjenevë. Dhe në këtë organizatë botërore bëjnë pjesë jo vetëm individë që merren me përkthimin, por edhe shoqata apo unione të përkthyesve. Në këto rrethana, duke pasur parasysh edhe sugjerimet e kolegëve të huaj gjatë veprimtarive ndërkombëtare ku unë kam qenë i pranishëm si simpoziume, workshope apo edhe kongrese të përkthimit, së bashku me një grup kolegësh profesionistë, si grup nismëtar, vendosëm të ndërmarrim këtë nismë.

Rexhep Hida, kryetar i Shoqatës së Përkthyesve Shqiptarë
Sa anëtarë ka deri më tani dhe cili është qëllimi i shoqatës?
Deri tani kanë paraqitur kërkesën mbi 200 përkthyes. Jemi të habitur dhe njëkohësisht tejet të kënaqur me efektin që ka pasur shpallja e njoftimit për krijimin e Shoqatës. Presim që ky numër të shtohet.
Herë pas here është ngritur shqetësimi se përkthimet vijnë në një cilësi të dobët, çfarë hapash konkretë do të ndërmerrni për këtë problematikë?
Kjo nuk është e vërtetë. Shkolla shqiptare e përkthimit është shumë prestigjioze, pasi ka nisur me emra të mëdhenj si Fan Noli, Mitrush Kuteli, Tajar Zavalani, Isuf Vrioni, Sami Leka, Petro Zheji. Sotir Caci, Robert Shvarc, Bujkar Doko, Mina Qirici, Misto Treska dhe kam kënaqësinë të pohoj se kjo traditë e shkëlqyer ka vijuar me emra të tjerë më të rinj si E. Tupja, I. Lengu, N. Sudar, K. Haderi, M. Meksi, R. Vucini, M. Shapllo, D. Culi, B. Shehu, Xh. Lazri etj.
Cilat janë prioritetet e Shoqatës së Përkthyesve dhe çfarë rolesh të tjera do të ketë?
Roli i kësaj Shoqate do të qëndrojë në organizimin e veprimtarive kushtuar problemeve që ka përkthimi si simpoziume, workshope apo edhe kongrese të përkthimit. Për këtë jemi në kontakt dhe në marrëdhënie shumë të mira edhe me Shoqatën e Botuesve të Shqipërisë. Gjithashtu do të përpiqemi që të ndërhyjmë pranë autoriteteve shtetërore për të ulur përqindjen që mbahet nga të ardhurat e përkthimit apo edhe për ndonjë lehtësi tjetër, natyrisht, brenda mundësive.
Ju jeni një emër i njohur në fushën e përkthimit dhe editorisë, cilat janë sipas jush sfidat më të mëdha të përkthimit?
Veprimtaria përkthimore në Shqipëri ka shumë sfida:
Së pari, duhet të vijojë të ruajë nivelin e lartë që është arritur deri tani. Për këtë duhet synuar që të përzgjidhen dhe të promovohen emra të rinj të talentuar.
Gjithashtu në vijim do të shohim që në të ardhmen të hapim një kurs përkthimi, ku do të mbajnë leksione me përkthyesit më të njohur e më të kualifikuar, në fund të të cilit përkthyesit mund të pajisen me një certifikatë përkthimi sipas nivelit të tyre. Këto lista të përkthyesve të rinj të certifikuar nga Shoqata do t’ua rekomandojmë botuesve të ndryshëm. Pastaj në të ardhmen do të shohim dhe të mendojmë edhe për rrugë të tjera që do të kontribuojnë në përgatitjen dhe kualifikimin e përkthyesve të rinj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




