Mes emrave të 123 personave të infektuar nga koronavirusi në Shqipëri është edhe vetë shefi i Urgjencës Kombëtare të Shqipërisë, Skënder Brataj.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Ministria e Shëndetëisë, që thotë se kreu i Urgjencës Kombëtare ka dalë pozitiv pas testit të kryer. Ministria sqaron se gjendja shëndetësore e Skënder Bratajt është e stabilizuar dhe se ai ndodhet në vetëngujim në banesën e tij, ndërkohë që mbetet e vështirë përcaktimi se nga e ka marrë ai infektimin.
Ajo që dihet është se Skënder Brataj, që prej konfirmimit të dy rasteve të para me koronavirus në vendin tonë, ka qenë pjesë e Task Force për menaxhimin e situatës, si dhe ka ka qenë në krye të operacionit të trajnimit të mjekëve, infermierëve, stafit tjetër mjekësor dhe të strukturave policore sesi të përballen me pandeminë.
Vetëm një ditë më parë, Skënder Brataj është fotografuar në ambientet e jashtme të Spitalit Infektiv me një maskë të vendosur në fytyrë. Në një prej deklaratave të tij të para pas konfirmimit të koronavirusit në Shqipëri, Brataj shprehej se “maska duhej vënë vetëm në rast se personat dyshonin se ishin të infektuar, si masë për të parandaluar infektimin e personave të tjerë”.
Brataj nuk ka pasur kontakte me pacientët e shtruar në Spitalin Infektiv. Kreu i Emergjencës Kombëtare ka familjarë në Itali.
Mes të tjerëve, edhe Presidenti Ilir Meta i uroi shërim të shpejtë drejtorit të Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj. “I shpreh solidaritet edhe familjes së tij në këto momente të vështira, besimplotë se sërish do t’i bashkohet ekipit të mjekëve në vijën e parë të luftës me pandeminë #COVID19. Është tepër e rëndësishme dhe prioritare të forcohen masat mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët me përkushtim, profesionalizëm dhe sakrifica të jashtëzakonshme janë të ekspozuar përballë një rreziku të madh, në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari”, shprehet Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




