Rend dhe Ligj

Kreu i SPAK dhe BKH-së vizitë në SHBA, shoqërohen nga prokurori i dosjes së inceneratorëve

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja ndodhet në Uashington për një vizitë në Departamentin e Drejtësisë, zyrtarisht për t’i njohur me punën e strukturës që drejton.

Në këtë vizitë, Kraja shoqërohet nga drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Veizaj dhe nga Prokurori i Posaçëm, Vladimir Mara. Mara, pjesë e grupit të prokurorëve të angazhuar në luftën kundër korrupsionit, ka në dorë disa dosje të nxehta në Prokurorinë e Posaçme, përfshirë këtu dosjen e inceneratorëve.

Vizita në Ëashington do të zgjasë një javë dhe ata do të takohen me zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe atij të Drejtësisë. Takime të veçanta do të ketë me zyrtarë të FBI, si dhe zyrtarë të DEA, agjencisë që heton trafikun e drogës.

Në njoftimin zyrtar SPAK sqaron së qëllimi vizitës është prezantimi i arritjeve të kësaj strukture gjatë këtyre tre viteve dhe të forcojë bashkëpunimin me FBI-në dhe DEA-n me synimin rritje ne ndjekjes penale ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Vizita në SHBA e drejtuesit të SPAK dhe atij të BKH vjen në një kohë që Prokuroria e Posaçme gjatë korrikut ka marrë në pyetje disa zyrtarë të lartë për disa hetime të nisura siç janë koncesionet në shëndetësi, apo për abuzime të dyshuara në tenderë publikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë