Drejtësia

Pas rreth 3 orësh në SPAK, Ilir Meta sulmon Altin Dumanin: Po mban në këmbë narkoregjimin e Ramës. U thirra si kundërshtar i tij

Gazeta Si - Si para se të futej, ashtu edhe kur doli nga SPAK pas më shumë se 3 orësh, Ilir Meta ka sulmuar kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, pa specifikuar për mediat se për çfarë ishte thirrur.

Ajo që dihet, është Metës i është dërguar ftesë nga prokurori i posaçëm, Sotir Kllapi, i cili po kryen hetim pasuror ndaj çiftit Meta-Kryemadhi.

Para se të hynte në godinën e qelqtë, presidenti i Partisë së Lirisë, zgjodhi që të mos tregonte se për cilën çështje ishte thirrur, por vijoi sulmet në drejtim të Altin Dumanit.

Kreun e institucionit të drejtësisë së re, Meta e thirri “Dum Dumani”, që sipas tij merr urdhra nga kryeministri Edi Rama.

“Po shkoj të takoj Dum Dumanin. A e njeh Dum Dumanin?", - tha ai, duke iu referuar kreut të SPAK, Altin Dumani. "Është ai që nuk guxon të hapë çështjen e McGonigal, që është kokë e këmbë me Edi Ramën, që nuk guxon të përdorë emrin e Edi Ramës, as për çështjen e Berishës…unë po shkoj te Dum Dumani ”, - tha Meta.

Edhe pas marrjes në pyetje, kur doli pas 3 porësh, Meta ka shtuar akuzat në drejtim të Altin Dumanit. “Si kundërshtar i narko-regjimit që kërkon të mbahet me Dum Dumanin tuaj, që bën këtë akt kriminal kundër opozitës për të shpëtuar Edi Rama, - tha Meta. - Në vend që të ndalojnë Edi Ramën, inceneratorin, aferën e portit të Durrësit, PPP që janë rrjedhja më e madhe financiare e këtij vendi, merren me përrallat e laraskave të tij. Tani do të ik tek sipërmarrja, kur të doni ju do të bëj konferencë shtypi. Tani kam tryezën, këtë do Dum Dumani, këtë detyrë i ka caktuar Edi Rama, Dum Dumanit", - shtoi ish-presidenti shqiptar.

Kjo është hera e tretë e Metës në SPAK, 2 të tjerat kanë qenë për hetimet lidhur me dosjen CEZ-DIA, hetime këto që po kryen nga vetë kreu i SPAK, Altin Dumani.

Një ditë më parë, në pyetje nga prokurorët u mor bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. Ajo qëndroi brenda ambienteve të prokurorisë mbi 5 orë.

Pas daljes, deputetja e PL, deklaroi se është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni sa i takon hetimit pasuror ndaj, ndërsa mohoi të jetë ngritur ndonjë akuzë.

Nuk kam besim te SPAK! Nuk ndaloj askënd të ketë dashuri për të

Në konferencën me gazetarët më vonë, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tregoi arsyet se pse u thirr sot në Prokurorinë e Posaçme. Meta akuzoi SPAK se po vepron për llogari të Edi Ramës dhe qeverisë.

“Unë jam thirrur në cilësinë e denoncuesit kryesor të ramaformës, shkatërrimi i reformës në drejtësi. Tani jemi vendi më i korruptuar në Evropë. SPAK kontrollohet totalisht nga Edi Rama dhe strukturisht nga Ëngjëll Agaçi, jam thirrur si denoncues i planeve të ndarjes së Kosovës, jam thirrur si denoncues i aferës së detit që ka përgjegjësi kryesor Edi Ramën. Një ditë para se të lija detyrën i kam dërguar një letër çdo deputeti që të marrin përgjegjësi për një çështje madhore. Që nuk është një çështje e lehtë. Jam thirrur sepse kam denoncuar në SPAK krimet zgjedhore në vitin 2021 dhe SPAK nuk ka lëvizur gishtin. Ishte detyrë e SPAK të ndiqte denoncimin për njerëzit e pushtetit dhe SPAK ia kaloi Prokurorisë së Elbasanit. Ka çuar në SPAK gjithë ato ligje që Rama i ka bërë me porosi. Jam thirrur se kam çuar në SPAK një nga aktet më të rëndë që ishte falsifikimi nga ana e Kuvendit i firmës së ish-kuvendit Gramoz Ruçi në procesin farsë ndaj presidentit Meta. Jam thirrur për shkak të denoncimeve të aferës së inceneratorëve në muajin shkurt të vitit 2021, por SPAK nuk lëvizi para zgjedhjeve. Këto janë cilësitë pse jam thirrur, ngaqë jam kryetari i Partisë së Lirisë dhe kurrë nuk do lejoj ekzekutimin e pluralizmit por që Shqipëria të lëngojë nga ky narkoshtet”, tha Meta, duke shtuar se nuk ka pasur kurrë besi9m tek SPAK.

“U krijua në mënyrë të paligjshme. Kemi qenë të detyruar të mbështesim SPAK dhe këdo dhe nuk ka arritje të SPAK”, tha Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë