Nga Gazeta ‘SI’- Stoku i kredive me probleme në Shqipëri mbetet i qëndrueshëm në nivelin më të ulët historik. Në shkurt 2026, ky tregues zbriti në 3.8% të totalit të portofolit të kredisë, i pandryshuar krahasuar me muajt janar dhe dhjetor.
Normat relativisht të ulëta të interesit kanë ndikuar në uljen e kredive me probleme, ndërsa të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë për një përmirësim të aftësisë paguese si të individëve, ashtu edhe të bizneseve. Ky zhvillim sugjeron se presionet mbi financat e familjeve dhe kompanive janë zbutur ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme.

Gjatë vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë ndërmori hapa për pastrimin e bilanceve bankare, përmes ristrukturimit dhe heqjes së një pjese të konsiderueshme të kredive me probleme. Ky proces ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e stokut total të tyre.
Nga ana tjetër, bankat kanë shtrënguar standardet e kreditimit, veçanërisht për kreditë për blerjen e banesave. Ky segment ka qenë në fokus të vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë, e cila ka vendosur kufizime në financim, duke përcaktuar që vlera e kredisë të mos tejkalojë 80% të çmimit të pronës. Kjo masë synon të frenojë rreziqet e mbinxehjes së tregut të pasurive të paluajtshme dhe të ruajë stabilitetin financiar në afatgjatë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje