Kredia e re për sektorin e ndërtimit në katër muajt e parë të këtij viti ka arritur nivelin më të lartë në pesë vitet e fundit.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë kredia e re në sektorin e ndërtimit arriti vlerën e 8.2 miliardë lekëve për katër muajt e parë të vitit, duke u rritur me 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërtimi zinte 20.7% të kredisë së re për ndërtimin, nga 13.1% për të njëjtën periudhë të vitit 2020. Edhe e shprehur si peshë specifike kredia e re për ndërtimin ka arritur nivelin më të lartë në pesë vjet.
Tashmë, kredia për ndërtimin po përjeton një fazë të re rritjeje nxitur dhe nga zhvillimet në sektorin e pasurive të paluajtshme, sidomos në kryeqytet dhe bregdet.
Ndërtimi ka qenë një nga sektorët kryesorë që mbështetën rritjen e kredisë por dhe një nga “përgjegjësit” kryesorë për rritjen e nivelit të kredive me problem të bankave, për shkak të shumë investimeve që rezultuan të gabuara.
Të dhënat e INSTAT për vitin 2020 tregojnë se vlera e lejeve për ndërtesa, përfshi rikonstruksione, ishte rreth 77 miliardë lekë, ndërsa një vit më parë kishte qenë pothuajse 81 miliardë lekë.
Sipas BSH rritja mesatare vjetore e çmimeve të pasurive të paluajtshme për vitin 2020 ishte 11.3%.
Duket se edhe bankat tregtare po e shfrytëzojnë ecurinë e favorshme në tregun e pasurive të paluajtshme, për të zgjeruar biznesin si në financimin e këtyre investimeve, ashtu edhe në blerjen e tyre nga familjet shqiptare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.