Lajme

KQZ: Deri tani, pjesëmarrja në votime 12%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një dalje për mediat informoi opinionin publik se deri në orën 11:00 pjesëmarrja në votime është 12%.
Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, bëri me dije se janë hapur të gjithë qendrat e votimit në të gjithë vendin, duke përjashtuar 7 Qendra Votimi në Postrribë të Qarkut Shkodër.
Nga këto, 6 qendra votimi nuk ka filluar ende votimi, ndërsa për 1 qendër votimi janë djegur materialet zgjedhore.
Hoxahj informoi se në 53 qendrat e votimit të KZAZ-së nr. 6 në Vaun e Dejës pavarësisht vonesave të shpërndarjes së materialeve zgjedhore, janë hapur dhe procesi i votimit ka filluar normalisht.
Sa i përket pjesëmarrjes në votime, zëdhënësja e KQZ-së deklaroi se është një e dhënë paraprake, e cila do të ndryshojë bazuar në informacionin që Qendrat e Votimit përcjellin në qendrën e të dhënave në KQZ.
Në fund, Hoxhaj iu bën apel të gjithë qytetarëve që t’u drejtohen kutive të votimit dhe të shprehin vullnetin e tyre me votë, pasi zgjidhjet në demokraci mund dhe duhet të dalin vetëm nga vota.

Zguri: Shifrat nuk janë zyrtare

Ndërsa, kreu i KQZ, Klement Zguri, është shprehur se të dhënat e publikuara nga zëdhënësja e institucionit, sipas së cilës deri në 11:00 pjesëmarrja në votime është 12%, nuk janë zyrtare.
“Përmes një deklarate janë raportuar shifra dhe një përqindje e caktuar deri në orën 11:00. Ndërkohë, dua të saktësoj, se kjo nuk është shifra zyrtare e konfirmuar nga KQZ-ja. Kjo shifër ka ardhur përmes komunikimeve të specialistëve të KQZ me KZAZ-të. KZAZ i kanë marrë këto të dhëna përmes komunikimit telefonik me sekretarët e qendrave të votimit.
Duke dikur edhe përbërjen e administratës zgjedhore, unë besoj se këto shifra minimalisht nuk janë të besueshme pa u konfirmuar zyrtarisht nga KQZ. E them edhe njëherë se nuk janë zyrtare, janë paraprake dhe kanë ardhur përmes komunikimit elektronik”, shprehet Zguri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë