Lajme

KPK shkarkon kryetaren e Gjykatës së Tiranës dhe gjyqtarin Fuat Vjerdha

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra kryetaren e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro. Të njëjtin vendim Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë edhe për gjyqtarin e Apelit Shkodër, Fuat Vjerdha.
Për kryetaren e Gjykatës së Tiranës që në seancën dëgjimore të mbajtur më 5 qershor u evidentuan mungesë burimesh financiare për disa vite si edhe paqartësi në deklarimin e një kredie dhe kërkesën për shtesën e një prone.
Sipas raportit të ILDKPKI, gjyqtarja Hajro ka kryer deklarim të pasaktë, por nuk ka kryer deklarim të rremë apo fshehje të pasurisë, nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit dhe ka burime të ligjshme.
Pasaktësia është konstatuar në mosdeklarimin e kërkesës për legalizimin e një prone.
Ndërsa, DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë e Hajros për vijimin e detyrës.

Ndërkohë, gjyqtari Fuat Vjerdha që ngeci në Vetting sot njihet ndryshe si njëri nga gjyqtarët e Dritan Dajtit, për të cilin ai votoi kundër zbritjes së dënimit të tij. Vjerdha bashkë me Lindita Hoxhën votuan kundër gjykimit të shkurtuar, ndërkohë që tre të tjerë, Petrit Aliaj, Aleks Nikolla dhe Skënder Damini vendosën të zbresin dënimin e përjetshëm për Dajtin, duke lënë në fuqi dënimin me 25 vjet burgim.

Gjyqtari Fuat Vjerdha

Vendimi për të u mor nga treshja gjykuese KPK-së e përbërë nga Olsi Komici kryesues, Lulzim Hamitaj relator dhe Pamela Qirko anëtare.
KPK theksoi se gjyqtari Vjerdha kishte probleme me profesionalizimin në punë.
Po kështu edhe denoncimet mbi uljen e dënimit të një çifti të akuzuar për mashtrim në shuma të mëdha dhe pafajësia për dy zyrtarë të akuzuar për shpërdorim detyre, kanë qenë ndër problemet me të cilat u përball gjatë seancës dëgjimore gjyqtari Vjerdha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë