Lajme

KPA shkarkon nga detyra prokuroren Antoneta Sevdari

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar prokuroren e Tiranës, Antoneta Sevdari. Vendimi u mor pas përballjes së saj me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ndërsa Komisioneri Publik kërkoi rihapjen e hetimit për të.
Prokurorja Sevdari kaloi pa probleme në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por Komisioneri Publik ankimoi vendimin e KPK-së, për hetim jo të plotë.
Së pari, Komisioneri Publik u shpreh se referuar hetimit për një shtëpi banimi konstatohet se për burimin e ligjshëm të të ardhurave, të deklaruara nga emigracioni i bashkëshortit gjatë viteve 1997-2004, Komisioni ka administruar vetëm tri dokumente të lëshuara nga Instituti Grek i Sigurimeve Shoqërore, të cilat vërtetojnë blerje pullash sigurimi shoqëror për muajt korrik, gusht dhe shtator të vitit 1998. Këto dokumente nuk provojnë nëse ato lidhen me punësimin e bashkëshortit.
Sipas Kolegjit, prokurorja Sevdari ka probleme me pasurinë e bashkëshortit.
Gjithashtu, ato figurojnë vetëm për një periudhë tremujore punësimi dhe jo për periudhën trevjeçare të deklaruar nga subjekti. Pra, duke mos hetuar dhe disponuar dokumente ligjore për pjesën tjetër të të ardhurave. Ndërkohë, nga analiza financiare dhe verifikimi i të ardhurave të ligjshme të prokurores dhe bashkëshortit, Komisioneri Publik konstaton se për periudhën 2000-2003, në të cilën Sevdari ka deklaruar se ka qarkulluar 3.000.000 lekë, për krijimin e 1/3 të banesës dhe 3.000 deri në 4.000 euro për mobilim, të ardhurat e ligjshme nuk i mbulojnë këto shpenzime të deklaruara.
“Të ardhurat e ligjshme në këtë periudhë, vërtetuar me dokumentacion ligjor provues rezultojnë në shumën 1.869.447 lekë”, tha Komisioneri.
Në lidhje me kriterin e pasurisë, Komisioneri Publik konstaton se, megjithëse për subjektin janë depozituar 10 denoncime, hetimi i Komisionit për disa prej tyre ka munguar plotësisht. Në disa raste, pretendimet e denoncuesve paraqesin rrethana, të cilat referojnë se prokurorja shfaq mangësi në kriterin e aftësive profesionale, shkak i cili duhej të detyronte Komisionin të hetonte dhe vlerësonte më tej.
Prokurorja Sevdari ishte edhe anëtare e KLP, institucion, i cili tani mbetet me 10 anëtarë. Nga anëtarët e KLP-së janë ankimuar edhe prokurorët Gentian Osmani, Kostaq Beluri dhe Arben Dollapi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë