Nga Gazeta ‘SI’ – Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon rishikimin e disa prej kontratave konesionare të shëndetësisë, për shkak të mungesës së eficiencës së tyre.
Në një audit të bërë në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, KLSH gjen se PPP-të e Sterilizimit, Hemodializës dhe Laboratorëve, kanë tejkaluar financimin e tyre, të parashikuar në planin buxhetor edhe pse kanë një kufizim të shërbimeve.

“FSDKSH në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të marrin masa duke ngritur grupe pune me qëllim kryerjen e rishikimeve të përmbajtjes së gjithë paketave (vizitat, ekzaminimet, trajtimet mjekësore si dhe rillogaritjen e çmimeve përkatëse) në kushtet e ndryshimeve të vazhdueshme prej vitit 2020 deri 2024 nga momenti i hartimit apo rishikimit të tyre, si dhe monitorimin e kontratave PPP, me qëllim ndjekjen dhe disiplinimin e shpenzimeve, përdorimin me efektivitet të fondeve, të cilat rezultojnë me tendencë në rritje nga viti në vit, jo vetëm si rezultat i rritjes së rasteve, por dhe si rezultat i rritjes së kostove të shërbimit për pacient, duke tejkaluar mbështetjen buxhetore të parashikuar në kontratat koncesionare”, analizon KLSH.


Një shkelje tjetër që KLSH paraqet është edhe ajo e pagesës paraprake për shërbimet e parashikuara, e jo për ato të realizuara. P.sh për kontratën e Check Up-it është bërë pagesa për 475 mijë kontrolle të planifikuara, në një kohë që shërbimi i kontrollit mjekësor është kryer për 467 mijë pacientë.

KLSH kërkon rishikim të kësaj kontrate, duke theksuar se janë shtuar rastet me sëmundje kronike dhe shtrime në spitale dhe nuk janë reflektuar në rezultat konkrete, në uljen e sëmundshmërisë së popullatës, duke cënuar efektivitetin e përdorimit të fondeve publike për këtë qëllim, në kundërshtim me përcaktimet e Kontratës PPP.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.