Biznes

Kostot e bizneseve u rritën në fund të 2023. Ushqimet, pijet dhe duhani më të shtrenjta

Nga Gazeta ‘SI’ – Bizneset shqiptare janë përballur me kosto të rritura edhe në fund të 2023-shit. Indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit me 3.1% në tremujorin e fundit të vitit. Gjithsesi, tendenca është zbutur ndjeshëm pasi një vit më parë, ky indeks ishte 21.4%. Çmimet e prodhimit për tregun vendas u rritën me 4.2% në të njëjtën periudhë.

Sipas llojit të biznesit, ato të sektorit energjetik kanë pasur rritje më të fortë të kostove, 7.5%, ndjekur nga industria nxjerrëse 4.5%, furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbeturinave me 1.7% dhe industria përpunuese me 1.5%.

Tek industria përpunuese, çmimet e aktivitetit të përpunimit të ushqimeve janë rritur me 6%, pijet 4.5%, duhani 4.4% etj.

Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për eksport, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022, shënoi rritje prej 1.1%. Rritja më e madhe e çmimeve është shënuar në seksionin “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 14%, pasuar nga seksioni “Industria Përpunuese” me 1.1%. Nga ana tjetër, seksioni “Industri Nxjerrëse” ka shënuar ulje me 1.1%, pasuar nga seksioni “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” me 1%.

Nga ana tjetër, çmimet e importit kanë rënë me 0.5% nga 2022-shi në 2023-shin. Ulja është ndikuar nga rënia e çmimeve të duhanit, tekstileve, pajisjeve elektronike, produktet farmaceutike etj.

Të dhënat e mësipërme janë një pasqyrë e inflacionit në vend, ku qartazi rritja e çmimeve është masivisht lokale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë