Kosova

Kosova zgjeron fashën orare të ndalim-qarkullimit

Kosova zgjeroi fashën orare me ndalim-qarkullimi për qytetarët dhe mbyllje të aktivitetit ekonomik në të ashtuquajturat zona të kuqe, që përfshijnë qytetet më të mëdha të vendit, ku pandemia ka goditur më fort.

Kryeministri Avdullah Hoti njoftoi përmes një konference për shtyp masat e reja, që do të hyjnë në fuqi duke filluar nga dita e premte. Ai tha se do të mbyllet aktiviteti ekonomik dhe ndalohet lëvizja e qytetarëve nga ora 19:00 deri në orën 05:00 në komunat me më shumë të infektuar.

Kjo do të thotë se masat e reja kufizuese prekin Prishtinën, Gjakovën, Podujevën dhe Ferizajn. Për shkelësit, Kryeministri i Kosovës paralajmëroi se do të ketë masa ndëshkuese sipas ligjit.

“Masat që do t’i marrim do të jenë plotësisht sipas ligjit, por do të jenë masa ekstreme, që nënkupton se nëse një dyqan ose biznes nuk i zbaton masat me këtë vendim të Qeverisë, do të ketë mbyllje totale për ato biznese për së paku 3 muaj. Nuk kemi zgjidhje tjetër, është situatë e vështirë. Është kohë lufte, kërkojmë mirëkuptimin dhe mbështetjen e qytetarëve”, tha ai.

Hoti e përshkroi situatën si dramatike dhe mjaft të rëndë, jo vetëm në Kosovë por edhe në vende të tjera të rajonit dhe Europës.

“Ne duhet të kujdesemi për situatën aktuale, ju mund ta vlerësoni edhe vetë gjendjen aktuale në vend. Duhet të kujdesemi që të ndalohet trendi i rritjes dhe të menaxhojmë situatën. E kemi të pamundur ndryshe që të mos marrim masa. Sot ndërkohë që po flasim janë 665 pacientë të shtrirë në spitale”, shtoi ai.

Para shpalljes së këtyre masave pati diskutime dhe zëra që kërkonin deri tek mbyllja e plotë e vendit për 2 javë. Por, ky skenar u kundërshtua nga partitë politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë