Ballkani Perëndimor po tronditet dita-ditës nga dalja në pah e atyre “ç’po gatuhet” për rajonin prapa perdeve. Pas letrës së kishte mbërritur në Bruksel për ndryshimin e kufijve të rajonit, një zbulim më tronditës është bërë nga gazeta “Koha Ditore”, e cila raporton se Franca dhe Gjermania propozojnë që çështja e Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet sipas modelit boshnjak.
Në një letër të publikuar nga gazeta më referuese në Prishtinë, dy fuqitë europiane hedhin idenë që në Veri të Kosovës të krijohet një distrikt i 170 komunave dhe fshatrave serbe, sipas modelit të Republikës Srpska në Bosnjë. Kjo letër, e cila nuk është konfirmuar nga Berlini apo Parisi, është hedhur poshtë nga një sërë ekspertësh, të cilët thonë se Bosnja është “bomba me sahat” e Ballkanit Perëndimor dhe se krijimi i një republike autonome në Veri do ta paralizonte Kosovës, ashtu si Bosnjën.
Por kush po e trazon rajonin me këto propozime kontroverse? Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçic thotë se propozimi i fundit i fundit është shkruaj nga një grua shumë e mençur që sipas tij, di gjithçka, dhe është ndër të paktët njerëz në botë që mund t’i japë zgjidhje konfliktit Kosovë-Serbi.
“Letra, botuar nga e përditshmja Koha Ditore, përmbante shumë gjëra që serbët do t’i konsideronin të këndshme, por gjithashtu një pjesë për njohjen e Kosovës e cila do të “tmerronte serbët”, tha të martën presidenti serb.
Ai shtoi se letra është shkruar nga një grua shumë e zgjuar që ai njeh. Media serbe kanë interpretuar gjerësisht deklaratën, me disa që raportojnë se presidenti mund të ketë qënë duke folur për kancelaren gjermane Angela Merkel, por deklarata mbetet enigmatike.
Publikimi i dokumentit mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Serbi-Kosovë, për të cilin gazeta pretendonte se ishte një iniciativë e përbashkët e Gjermanisë dhe Francës , u mohua nga ambasadat e të dy vendeve në Kosovë.
Sipas “Koha Ditore”, dokumenti thotë se Vuçiç dhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të zhvillojnë bisedime për të finalizuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe duhet të përfundojnë procesin deri në fund të shkurtit 2022. Një takim në Paris këtë qershor parashikohet gjithashtu. Koha gjithashtu shkroi se disa diplomatë konfirmuan që letra ishte pak a shumë në përputhje me ato që ishin diskutuar në dialogun Beograd-Prishtinë.

“Dëgjoj mohime që vijnë nga kudo, por kjo letër e dytë ka ngritur më shumë shqetësime sesa e para, pasi kjo është shkruar dhe ideuar nga një person shumë i zgjuar. Kjo është shkruar nga dikush që është njohëse e gjithçkaje, është një nga 50 personat në botë që mund ta shkruajë. Unë i njoh të gjithë, ju e dini sa herë kam udhëtuar në Bruksel për të folur për Kosovë. Dyshoj që një person mund të qëndrojë pas kësaj letre. Është një grua shumë inteligjente ”, tha Vuçic.
Diplomatët e Gjermanisë dhe Francës mohuan të martën të kenë hartuar ndonjë dokument për rrugën e përmbylljes së procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dokumenti që u publikua fillimisht në gazetën “Koha Ditore” dhe më pas edhe nga medie të tjera në Kosovë, flet për themelimin e një “distrikti autonom” në veriun e Kosovës si dhe që Kosova dhe Serbia të njohin tërësinë tokësore dhe sovranitetin e njëra tjetrës.
Në dokument mes tjerash thuhet se Kisha Ortodokse Serbe do të këtë “status të privilegjuar”, ndërsa Serbia, pas ratifikimit të marrëveshjes ligjërisht detyruese “nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rajonale”.
Por, të martën, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, shkroi në rrjetet sociale se “i ashtuquajturi ‘non-paper’ franko-gjerman, i publikuar nga Koha Ditore është lajm i rremë. Mund të ketë dokument, por sigurisht që nuk është franko-gjerman. Ne e përkrahim plotësisht dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe Miroslav Lajçak, siç e theksoi përsëri ministri i Jashtëm i Gjermanisë, (Heiko) Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, shkroi ai.
Ambasada franceze shkroi më pas se “Franca dhe Gjermania nuk janë burimi i të ashtuquajturit “propozimit franko-gjerman” të botuar në Koha Ditore. Ne mbështesim plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, dhe mirëpresim përpjekjet e bëra në këtë drejtim nga përfaqësuesi i posaçëm i ngarkuar më bisedimet Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak”.

Bashkimi Evropian tha dokumenti i pretenduar “nuk paraqet qëndrimin e BE-së” dhe zyrtarët në Bruksel “nuk e kanë marrë e as parë një dokument të tillë”.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë nga ana tjetër se Serbia është burimi i dokumenteve që hedhin ide destabilizuese për rajonin e Ballkanit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani ka thënë se Serbia synon që një qasje e tillë të normalizohet dhe të bëhet pjesë e debatit të përditshëm dhe agjendës së dialogut.
Sipas presidentes, “kjo është strategji e vjetër e Serbisë̈, e përsëritur tani me qëllim që një qasje e tillë të normalizohet e të bëhet pjesë e debatit të përditshëm, e pastaj edhe e agjendës së dialogut, kërkesë kjo e rrezikshme dhe destabilizuese e saj, por dhe e Rusisë. Prandaj, të mos bijmë në kurthin e tillë. Të kemi besim në aleatët tanë, por mbi të gjitha të kemi besim në vetveten. “Non-papers” të tillë lëre që refuzohen nga ana jonë, por as nuk do të mund t’i përcaktojnë veprimet tona e as mbarëvajtjen e dialogut”.
Më herët gjatë këtij muaji, u ngritën debate pas shkrimeve në mediet kroate e boshnjake për një dokument joformal me siç thuhet, propozimin për ndryshimin e kufijve ne Ballkan. Sipas tyre një dokument i tillë i hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, propozon ripërcaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor si zgjidhje për problemet e hapura në rajon.
Në Bashkimin Evropian thanë disa herë se nuk kanë njohuri për një dokument të tillë, ndërsa kryeministri slloven, Janez Jansha, vendi i të cilit do të kryesojë Bashkimin Evropian në pjesën e dytë të këtij viti, shkroi se pretendimet për një dokument të tillë janë veprime që synojnë “të dëmtojnë Slloveninë në BE”.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se “spekulimet e panevojshme kohët e fundit për ndryshim kufijsh në Ballkan në bazë të linjave etnike kërcënojnë të sjellin destabilitet në rajon dhe zgjojnë jehonën e tensioneve të mëparshme. Një e ardhme e stabilizuar, e begatë për Ballkanin Perëndimor duhet të bazohet tek qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, demokracia shumetnike dhe respekti për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”, tha ai duke komentuar debatet e ditëve të fundit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.