Kosova ka siguruar 500 mijë vaksina kundër Covid-19 nga kompania Pfizer. Lajmi është konfirmuar nga Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, por edhe nga përfaqësuesit e Pfizer, pas një takimi virtual me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës.
Në faqen e tij në Facebook, ministri Zemaj shkruan:
Kosova siguron 500 000 vaksina anti-COVID nga Pfizer. Në kuadër të angazhimeve konkrete për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, dëshiroj të ndaj me qytetarët informatën se kemi siguruar 500.000 vaksina kundër kësaj sëmundje nga kompania Pfizer. Konfirmimin për sigurimin e këtyre vaksinave na e kanë dhënë përfaqësuesit e Pfizer gjatë një takimi virtual të mbajtur sot me ta.
Siç e kemi bërë të ditur edhe më herët, MSh ka qenë e angazhuar prej muajsh në shumë drejtime për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19, me qëllim të përmbushjes së obligimeve që kemi ndaj qytetarëve dhe ruajtjes së shëndetit publik të tyre. Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë mbesin të përkushtuara që qytetarëve tanë t’u sigurojmë mbrojtje përmes vaksinimit gjithëpërfshirës kundër Covid-19.
Krahas kësaj, Kosova do të marrë nga mekanizimi Covax edhe 360.000 vaksina falas për 20 për qind të popullatës. Vaksina do të sigurohen për të gjitha grupet e popullatës që duhet të mbulohen me vaksinim sipas projeksioneve të IKSHPK-së. Vaksina kundër COVID-19, do t’u jepet falas qytetarëve të vendit tonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




