Në Kosovë hynë sot në fuqi një sërë masash të reja për frenimin e koronavirusit, pas rritjes së shpejtë të rasteve të reja përgjatë javëve të fundit.
Qeveria e Kosovës vendosi një sërë kufizimesh për hyrjen në Kosovë, lëvizjen në disa komuna, me veshjen e maskave dhe numrin e qytetarëve që lejohen të mblidhen së bashku.
Me vendimin e ri, të gjithë qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, të cilët hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të bëjnë tampon.
Po ashtu, qeveria e Avdullah Hotit vendosi që duke filluar nga ora 22:30 deri në orën 05:00 po ashtu ndalohet lëvizja jashtë shtëpive në Prishtinë, Prizren, Pejë, Podujevë, Gjakovë, Ferizaj, Lipjan, Drenas, Vushtrri, Mitrovicë, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë, përveç rasteve të urgjencave shëndetësore. Vendimi vjen pasi të hënën në Kosovë u regjistrua numër rekord i rasteve të të infektuarve me koronavirus, duke shënuar 276 raste brenda 24 orësh.
Të martën, numri i rasteve ishte 239, duke e cuar numrin e të infektuarve në 7,652. Që nga zbulimi i rastit të parë në Kosovë, 192 pacientë kanë humbur jetën.
Ashpërsimi i situatës ka detyruar qeverinë e Kosovës të urdhërojë të gjithë shqiptarët e Kosovës që t’i vendosin maskat sapo dalin jashtë shtëpive dhe të mbajnë distancë fizike prej dy metrash në mjedise të përbashkëta.
Po ashtu ndalohen të gjitha tubimet publike, përfshirë ahengjet familjare private, si dhe grumbullimi i më shumë se pesë personave në sheshe publike dhe parqe. Pjesëmarrja fizike e qytetarëve në të gjitha ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në tërë territorin e Republikës së Kosovës ndalohet gjithashtu.
Qeveria vendosi po ashtu që mjetet e transport publik (autobusë, kombi, taksi) të punojnë me përgjysmim të kapaciteteve , për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo udhëtar. Ndërkohë, restorantet, kafetë dhe klubeve të natës u ndalohet të qendrojnë të hapur nga ora 22:30 deri në 05:00.
Po sipas vendimit, ushtrimi i veprimtarisë së çerdheve publike dhe private në tërë territorin e Republikës së Kosovës do të lejohet pas vlerësimit dhe mbikëqyrjes nga autoritetet komunale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




