Kosova

Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme

Më shumë se një muaj pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit është bërë qartë se Kosova është duke rrëshqitur drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ekspertët në Kosovë thonë se nuk ka gjasa të shohim gjetjen e një zgjidhjeje mes partive politike për presidentin e ri të Kosovës. Mundësia për zgjedhje të parakohshme është pranuar edhe nga zyrtarë të partisë në pushtet, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të subjektit më të madh opozitar, Lëvizjes Vetëvendosje.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do t’i thërrasë partitë parlamentare në një tryezë për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila është pjesë e koalicionit aktual qeverisës, ka propozuar liderin e saj Ramush Haradinajn për postin e presidentit dhe po vazhdon të këmbëngulë në propozimin e saj.

Partia Demokratike e Kosovës, subjekt ky opozitar, ka deklaruar se deputetët e kësaj partie nuk do të votojnë asnjë kandidat për president nga radhët e partive të koalicionit qeverisës, por do të paraqesë kandidatin e saj. Partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, këmbëngul që vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se ideja e liderit të kësaj partie, Isa Mustafa, është që të ftojë partitë politike në një tryezë për të nisur dialogun e brendshëm për zgjedhjen e presidentit.

“Po presim konfirmimin e partive. Në qoftë se nuk do të ketë marrëveshje, atëherë nuk ka opsion tjetër veçse të shkojmë drejt zgjedhjeve edhe pse po dëmtojmë stabilitetin politik. Nuk mendoj se mund të prodhohet zgjidhje e qëndrueshme pas zgjedhjeve. Do të hyjmë në një cikël të ri të krizave politike. Nëse mungon vullneti politik që të zgjidhen problemet sot në tavolinë, do të kemi prapë të njëjtin problem. Përsëri kanë për t’u tërhequr palët në pozitat e njëjta politike”, theksoi Haziri.

Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka marrë ndonjë ftesë zyrtare nga Lidhja Demokratike e Kosovës për pjesëmarrjen në tryezën politike. Zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu thotë se qëllimi i kësaj tryeze nuk është që koalicioni qeverisës të gjejë një zgjidhje për presidentin, por zgjatja jetës së qeverisë aktuale. Kryeziu thekson që Lëvizja Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në një tryezë të tillë.

“Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, rrugëdalja nga kjo situatë është përmes zgjedhjeve të reja, me një Kuvend të ri dhe të rilegjitimuar e pastaj, me kritere të pajtuara për një figurë unifikuese për presidentin. Pra, pasi që të kemi një Kuvend të ri, të fillojmë një diskutim të përbashkët, së pari mbi kriteret dhe virtytet e presidentit të ardhshëm dhe më pas identifikimin e këtyre figurave unifikuese që mund të jenë kandidatë potencialë për president”, theksoi Kryeziu.

Ndërkaq, zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët pretendojnë se posti i presidentit duhet t’i takojë liderit të tyre, Ramush Haradinajt, duken të bindur në qëndrimin e tyre.

Eksperti Agon Maliqi thotë se edhe në rast se partitë politike i përgjigjen një ftese eventuale të Lidhjes Demokratike të Kosovës për bisedime në një tryezë, është e vështirë që ndonjëra prej tyre të ndërrojë qëndrim.

Sipas tij, qëndrimet e AAK-së, PDK-së, por edhe Lëvizjes Vetëvendosje, janë dhënë në formë ultimatumi dhe tashmë ato vështirë se mund të tërhiqen nga qëndrimet e tyre, pasi do të dënohen nga publiku.

Siç thotë Maliqi, partitë politike tashmë do t’i peshojnë vendimet e tyre  pas zgjedhjeve.

“Përshtypja ime është që Ramush Haradinaj kur ngul këmbë për diçka, nuk tërhiqet. Ndërkohë, unë nuk shoh interes as te LDK-ja dhe as te PDK-ja për t’i hapur rrugë Haradinajt presidencën. Mendoj se ka 80 për qind se do të shkojmë në zgjedhje,”, tha Maliqi.

Megjithatë, analisti Maliqi vlerëson se edhe pas zgjedhjeve të parakohshme eventuale, nuk do të arrihet një zgjidhje që mund ta sqarojë situatën lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri.

“Më pas do të futemi në krizë edhe më të thellë, për shkak të afateve kohore. Por, besoj se do të futemi në një situatë krejtësisht të re. Besoj që këtë gjë e kanë parasysh palët që janë tani duke negociuar. Por, po shihet që këto mund të jenë mbase zgjedhjet e para pa vija të kuqe dhe palët po kalkulojnë politikisht edhe me mundësinë e bashkëpunimit me Vetëvendosjen. Ndonëse, besoj që secila prej tyre do të dëshironte që ta shmangte”, theksoi Maliqi.

Zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës, tashmë është e domosdoshme, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga kjo pozitë, më 5 nëntor, pasi Dhomat e Specializuara në Hagë, konfirmuan aktakuzën ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë