Kosova

Kosova përgatitet për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Beograd

Pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, Kosova ka sinjalizuar se do të vazhdojë zbatimin e pikave të tjera të marrëveshjes së nënshkruar me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, përfshirë edhe hekurudhën Prishtinë-Beograd.

Më 3 shkurt ka hyrë në fuqi marrëveshja për nxitjen e investimeve ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Merdare dhe linjës hekurudhore Beograd – Prishtinë. Ministri në detyrë i Infrastrukturës në Kosovë, Arban Abrashi deklaroi se kjo marrëveshje do të krijojë qindra vende të reja pune.

Në samitin e mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, Kosova nënshkroi dy dokumente, që parashikonin marrjen e investimeve nga Korporata Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar. Ministri në detyrë, Abrashi, thotë se përveç ndërtimit të autostradës dhe hekurudhës, hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, ka rëndësi të veçantë sepse do të përkrahet sektori privat.

“Mundësitë për financim të bizneseve e projekteve përmes qasjes në fondet e DFC-së, do të jenë një nxitje e mundësi e shkëlqyer për ndërmarrësit nga Kosova, që do të ndikojë në zhvillimin e e vendit dhe në krijimin e vendeve të reja të punës”, tha ai.

Autostrada Prishtinë – Merdare, 27 kilometra e gjatë, e njohur ndryshe edhe si “Autostrada e Paqes” është një nga projektet e përfshira në Marrëveshjen e Uashingtonit dhe kushton përafërsisht 200 milionë euro. Kurse, segmenti hekurudhor Prishtinë – Merdare, me gjatësi prej 45 kilometrash arrin në 150 milionë euro.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës, tha se nisja e zbatimit të marrëveshjes së DFC-së, do të ndihmojë sektorin privat. “Këto janë instrumente financiare të cilat u jepen bizneseve që u jepen bizneseve që të investojnë në Kosovë ose të zgjerojnë investimet e tyre në Kosovë dhe rajon”, tha Zeka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë