Sport

Kosova pararojë edhe në ligjin për sportin

Kosova po ecën me ritme të shpejta në drejtim të zhvillimit të sportit. Përpos rezultateve që në dy vitet e fundit që kanë qenë ndjeshëm më të larta se Shqipëria në disa sporte të ndryshme, Kosova po bën hapa të mëdhenj përpara edhe në kuadrin ligjor.

Nëse në Shqipëri ka disa vite që diskutohet dhe bëhen takime e premtime për të miratuar një ligj të ri për sportin dhe sponorizmet në të, Kosova dje e ka miratuar në ligj të tillë. Me 73 vota pro dhe vetëm 2 abstenim, parlamenti i Kosovës e kaloi ligjin e ri për sponsorizmet që pritet t’i jap një hov të madh zhvillimit të sportit falë mbështetjes më të madhe që tashmë garantohet për bizneset. Ligji për sponsorizimin e sporteve ishte miratuar prej vitesh, por implementimi i tij nuk kishte ndodhur për shkak se binte ndesh me një tjetër ligj. Në amendamentin e ri të propozuar nga deputeti Bekim Haxhiu rregulloheshin këto përplasje dhe tashmë Kosova e ka një ligj të ri për sportin.  Me këtë ligj i hapet rrugë bizneseve që të investojnë në sport, dhe 30 për qind e fitimit në tatim mund ta ndajnë për sportin.

Ky model për t’i lehtësuar me 30% detyrimet tatimore për bizneset që kontribuojnë për sportin është një model i marrë nga Gjermania. Në Gjermani ky ligj po mbush gati 20 vite dhe në dy dekadat e fundit janë parë ndryshmet e mëdha që sporti ka pësuar në këtë vend. Për të gjithë bizneset kosovare kjo zbritje në tatime do iu njihet për çdo lloj investimi që ata do të bëjnë në sportin e Kosovës, duke përfshirë infrastrukturën, sponsorizimet e sportistëve të ndryshëm dhe të ekipeve në të gjitha disiplinat sportive. Sipas medieve kosovare, të parat që do i ndjejnë efektet e këtij ligji do të jenë klubet e futbollit, pasi tashmë do të ketë më shumë mundësi dhe hapësira për investitorë që të përfshihen në këtë aktivitet, duke parë edhe lehtësirat e mëdha tatimore që ofrohen.

Pas miratimit të këtij ligji, ka ardhur edhe reagimi i ministrit për sportin rininë dhe kulturën në Kosovë, Kujtim Gashi, i cili ka deklaruar se pas kësaj pritet ngritja e mekanizmave të kontrollit që do të parandalojnë keqpërdorimin në emër të sponsorizimit të sportit. Sipas Gashit në nenin 7 i të ligjit të ri normohen qartë të gjitha rregullat që do të ndalojnë keqpërdorimet. Po ashtu ai tha se edhe tek pjesa e auditimit është e përcaktuar qartë në mënyrë që të mos lejohet të ndodh keqpërdorimi.

Ky ligj i ri për sportin në Kosovë, jep edhe një herë tjetër shembullin për strukturat drejtuese të sportit në Shqipëri. Para më shumë se 4 muaj në Tiranë u mbajt një mbledhje me bazë të gjerë me pjesëmarrjen e zyrtarëve më të lartë të shtetit, duke filluar nga kryeministri e deri tek drejtuesit e federatave në vend, ku u premtua se do të fillonte puna për krijimin e një ligji të ngjashëm. U la afat 100 ditor, por si për shumë çështje të tjera edhe kjo gjë në vendin tonë ka mbetur vetëm në letër dhe në sinkronet e televizioneve. Ndryshe nga Kosova në Shqipëri ende nuk janë  bindur se sporti ka nevojë emergjente për një rregullim të tillë ligjor, pasi dështimi total në çdo fushë dhe aspekt është afër. Duke filluar nga futbolli ku shumë klube rrezikojnë falimentin dhe te sportet individuale, ku shumë sportistë mezi mbyllin muajin dhe çdo ditë mendojnë për ta lënë sportin, panorama është shumë e zymtë dhe për momentin nuk ka sinjale shprese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë