Kosova

Kosova në karantinë

Mëngjesin e sotëm, shqiptarët e Kosovës nuk e pinë si zakonisht kafenë e mëngjesit, nuk shkuan në punë, apo të bëjnë shëtitjen e mbrëmjes, sepse ndodhen në karantinë.

Kosova ka vendosur të mbyllë të gjitha bizneset jo thelbësore këtë fundjavë dhe të vendosë në izolim komunat më të mëdha të vendit.

Bizneset, qendrat tregtare, restorantet dhe kafenetë u mbyllën që në orën 20:00 dhe nuk do të hapin dyert deri në orën 05:00 të së hënës. Po ashtu, Qeveria ka vendosur që të fusë në karantinë shtatë komuna: Prishtinën, Fushë-Kosovën, Gjilanin, Obiliqin, Gjakovën, Podujevën dhe Shtimen.

Në hyrje të Prishtinës janë vendosur që nga mbrëmja dhjetëra patrulla policie të cilët po kontrollojnë çdo mjet që hyjnë në kryeqytet.

Për shkak të kontrolleve të rrepta nga Policia në hyrje të kryeqytetit nga Mitrovica mëngjesin e së shtunës janë krijuar edhe radhë të gjata makinash.

Përveç shtatë komunave që aktualisht janë në karantinë, mediat në Kosovë thonë se gjashtë të tjera që pritet të mbyllen, pasi po cilësohen si zona portokalli.

Bazuar në hartën që pasqyron rastet me COVID-19 për 100 mijë banorë, të publikuar Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, qytetet e tjera ku mund të ndalohen hyrje-daljet në fundjavë janë: Lipjani, Ferizaj, Vushtrria, Juniku, Deçani dhe Peja.

Nëse rastët vazhdojnë të rriten, këto komuna do të hyjnë në zonën e kuqe dhe do të mbyllen. Kjo është paralajmëruar vetë Zemaj, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Masat vijnë pasi gjatë pesë ditëve të kaluara përhapja e koronavirusit mori 44 jetë të qytetarëve në Kosovë. Të premten kanë vdekur 12 qytetarë, 6 pacientë kanë vdekur të enjten, 9 qytetarë u raportua se kanë humbur jetën të mërkurën, 8 po të martën dhe 9 qytetarë të tjerë u raportua nga IKSHPK-ja se kanë humbue jetën të hënën pasi ishin prekur nga Covid-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë