Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një takim me bashkëpunëtorët e tij më të afërt në selinë e partisë i ka njoftuar se do të largohet nga posti i presidentit, njoftoi Kryetari i Bordit Ekzekutiv të PPS-së, Darko Glishiç.
Raportohet në mediat serbe se gjatë takimit të anëtarëve të partisë së Vuçiç ka pasur mosmarrëveshje dhe thirrje për të refuzuar negociatat me SHBA-në dhe BE-në, të cilët të premten zhvilluan bisedime lidhur me planin franko-gjerman për zgjidhjen dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Beogradit.
Sipas raportimeve, presidenti Vuçiç iu përgjigj këtyre mosmarrëveshjeve dhe tha se nëse dikush mendon se mund ta udhëheqë vendin më mirë se ai, ai është i gatshëm t’ua lërë atyre dhe pastaj të largohet nga takimi.
“Nëse ai jep dorëheqjen dhe qëndron pas saj, mendoj se është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë Serbisë”, ka thënë Glishiç.
Kryeministrja serbe gjatë ditës së djeshme(22 janar) i doli në mbrojtje presidentit të Serbisë në lidhje me presionet që po i vinin për Kosovën
“Nuk do të fshehim asgjë. Politika e presidentit Vuçiç është të flasim hapur plotësisht dhe në mënyrë transparente me njerëzit tanë dhe të themi se çfarë është situata dhe çfarë është në tavolinë,” – tha Bërnabiç duke lënë të hapur edhe mundësinë e një referendumi për çështjen e Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do t’i drejtohet publikut me një fjalim mbrëmjen e sotme në orën 20:00. Ai tha pas takimit me të dërguarit amerikanë dhe evropianë se Serbia është e gatshme të pranojë dhe zbatojë konceptin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç,i ka dalë në mbrojtje Vuçiçit dhe tha se do t’i ofrojë mbështetje pa rezervë, për t’i qëndruar presionit dhe sulmeve të vazhdueshme në lidhje me Kosovën.
Vuçeviç, në një postim në Instagram tha se Vuçiç është vazhdimisht shënjestër të atyre që i quajti: “tradhtarëve për shkak të luftës së tij për ta përmirësuar vendin.”
“Sot nuk është e lehtë të luftosh për Serbinë, të luftosh për përparimin e saj dhe të përfshihesh në politikë. Aleksandër Vuçiç, pikërisht pse punon për të mirën e vendit të tij, është vazhdimisht në shënjestër të tradhtarëve, mercenarëve dhe të gjithë atyre që i vënë interesat e tyre përpara atyre të shtetit. Presidenti i Serbisë e ka mbështetjen time të parezervë për të qëndruar ndaj presioneve dhe sulmeve të vazhdueshme që po vijnë edhe shkaku i çështjes më të rëndësishme serbe – Kosovës,” – shkruan Vuçeviç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.