Komunitet

COVAX publikon planin e shpërndarjes së vaksinës, Shqipëria merr 141.600 doza të AstraZeneca

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë njoftuar sot se pritet të marrin brenda shkurtit dërgesën e parë të vaksinave nga COVAX, por është ende e paqartë së kur do të mbërrijnë dozat e nismës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vendin tonë.

Shkupi dhe Prishtina kanë bërë publike datat por edhe sasinë dhe kompaninë nga e cila do të marrin vaksinat nëpërmjet COVAX, por ministria e Shëndetësisë i thotë Gazetës Si se në vendin tonë nuk ka ende asnjë afat se kur mund të mbërrijë dërgesa e parë përmes mekanizmit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në një përgjigje për Gazetën, ministria thotë se: mekanizmi COVAX operon në të njëjtën kohë me vendet që janë në dritaren e parë. Ende nuk ka asnjë date për asnjë vend”

Pergjigjen për vaksinat e dha vetë Covax permes nje njoftimi zyrtar.

COVAX ka publikuar zyrtarisht planin paraprak të shpërndarjes së vaksinave anti-Covid Pfizer dhe AstraZenca, ku përfshihet edhe Shqipëria.

Vendi ynë planifikohet që të përfitojë 141 mijë e 600 doza të vaksinës AstraZeneca vetëm nga COVAX për periudhën Prill-Qershor, por pa specifikuar datë konkrete. Për Shqipërinë nga COVAX nuk është parashikuar ndonjë fond vaksinash nga Pfizer. E njëjta situatë dhe për vendet e tjera te Rajonit.

Në total aleanca parashikon të shpërndajë 1.2 milionë doza në fazën e parë, por pa specifikuar kohën

Nga vendet e rajonit, Shqipëria renditet e dyta në numër dozash. Vendin e parë e zë Serbia me 343 mijë doza. Më pas Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi.

Më herët, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka bërë të ditur sot se Maqedonia e Veriut do të marrë vaksinat e para kundër COVID-19 përmes sistemit COVAX, brenda shkurtit ose në ditët e para të marsit.

“Mekanizmi COVAX, përmes një njoftimi me shkrim na ka informuar se vaksina e parë që do të mbërrijë në vendin tonë përmes këtij mekanizmi është AstraZeneca. Dorëzimi i 35% të 175.200 dozave të planifikuara të kësaj vaksine do të arrijnë përpara muajit mars kurse pjesa tjetër nga mesi i vitit”, ka njoftuar Filipçe.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur po ashtu sot se Kosova do të marrë dërgesën e parë të vaksinave përmes nismës COVAX javën e tretë të shkurtit.  Ky do të jetë kontingjenti i parë i vaksinave që do të mbërrijë në Prishtinë, pasi ndryshe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë marrë ende dozat e para nga kompania Pfizer, pavarëisht kontratës së nënshkruar.

Mekanzimi i OBSH-së për shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra. COVAX, nuk pritej të niste shpërndarjen e vaksinave përpara pranverës, por bashkimi i SHBA-së dhe Pfizer me këtë nismë duket se ka përshpjetuar procesin.

Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, ka njoftuar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se në mesin e muajit shkurt, në Kosovë do të vijë kontingjenti i parë i vaksinave përmes skemës COVAX.

Ajo thotë se dy kompani po bisedojnë për t’i lehtësuar procedurat e ardhjes së vaksinave në Kosovë, por kontingjenti i parë i vaksinave do të jetë nga Universiteti i Oksford-it dhe kompania AstraZeneca.

“Vaksinat nga COVAX janë të mjaftueshme për 20 për qind të popullatës së Kosovës, ose e thënë ndryshe, nga dy doza për 360 mijë persona. Në diskutim jemi me AstraZenecan dhe me Pfizer, por dozat e para do të vijnë nga kompania britaniko-suedeze”, thekson ajo.

Agjencia Evropiane e Barnave ka miratuar më 29 janar vaksinën e AstraZenecas për personat mbi moshën 18-vjeçare, por shumica e pjesëmarrësve në studime mbi testimet kanë mbi 55 vjeç, duke bërë që Gjermania, Italia dhe Belgjika të mos e rekomandojnë dhënien e kësaj vaksine për personat mbi moshën 65-vjeçare.

“Në fakt, kjo vaksinë jepet në dy doza, efikasiteti pas vaksinimit e kalon 90 për qind siç raportoi BBC më 2 shkurt, studimi i fundit i bërë nga Universiteti i Oxford-it, që nuk është publikuar ende, ka treguar se doza e parë e kësaj vaksine ka efikasitet prej 76 për qind tre muaj pasi vaksina është marrë) dhe sipas asaj që është dëshmuar deri më tani, pritet që dy dozat të jenë të mjaftueshme që të ofrojë mbrojtje nga COVID-19”, thekson zyrtarja e OBSH në Kosovë.

E pyetur se sa shpesh do të vijnë vaksinat e COVAX-it në Kosovë, Humolli thekson se gjithçka do të varet nga kapacitetet e prodhimit, por se fillimisht pritet të vijnë rreth 20 mijë doza.

“Duke iu përshtatur kapaciteteve të zinxhirit të ftohtë, vaksinat do të vinë në kontingjente deri në 20.000 (doza) brenda dy javësh. Pastaj edhe mbas dy jave do të vijnë edhe 20.000 të tjera, e kështu me radhë”, shprehet përfaqësuesja e OBSH.

“Ne po shpresojmë që 50 për qind e popullatës të vaksinohet deri në fund të vitit 2021. Kosova është shumë gati të nisë fushatën e vaksinimit”, thekson ajo. “E them këtë në bazë të planit që është përgatitur nga qeveria e Kosovës dhe të gjitha dokumentet që janë siguruar”.

Duke folur për mbërritjen e variantit të ri të koronavirusit në Kosovë, Humolli thotë se ky është një zhvillim shumë shqetësuese pasi paraqet një rrezik të përhapjes më të shpejt të sëmundjes.  “Problemi tjetër është që imuniteti i cili është krijuar për variantit e parë të virusit Sars-Cov-2, nuk mbron apo ofron mbrojtje në nivel shumë të ulët për variantin e ri. Kosova duhet të vazhdojë me aplikimin e tri masave restriktive: vendosjen e maskës, mbajtjen e distancës fizike dhe të ndalojë grumbullimet në masë”, tha ajo duke iu referuat tubimeve masive të mbajtura nga partitë politike në Kosovë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë