Kosova

Kosova dhe Serbia, të premten në Këshillin Evropian / Vuçiç shpreson te Orban për veton kundër sanksioneve

“Nuk ka arsye që të takohemi para se të vendosen masa ndaj Vuçiç. Sanskionet së pari, pastaj mund të flasim”. Kjo ka qenë deklarata e presidentes Vjosa Osmani përpara nisjes së takimit të Komunitetit Politik në Granada të Spanjës, të thirrur nga presidenti francez Emmanuel Makron. Dhe ngjarja tragjike e Banjskës pritet të jetë pjesë e diskutimeve të së premtes mes liderëve europianë në Këshillin Evropian.

Ndërsa përpjekjet për një takim mes Osmanit dhe Vuçiç të shefit të diplomacisë europiane, Josep Borrell duket si një mision i pamundur, presidenti serb ka dhënë sinjale se edhe ai nuk pret që ai të realizohet.  Vuçiç duke folur për mediat serbe e cilësoi si një hipokrizi thirrjet e presidentes Osmani që Serbia të ndëshkohet, pasi Kosova nuk njihet si shtet në OKB.

Por ditë të vështira e presim Serbinë dhe këtë e pranuar dhe vetë Vuçiç, i cili ka nisur lobimet me liderët e Unionit që vendi i tij të mos ndëshkohet nga BE si dhe Kosova. Ai ka paralajmëruar takime dhe është takuar me presidentin francez Makron, kryeministrin britanik Sunak, liderët e tjerë si ai i Spanjës, Italisë dhe Rumanisë. Sakaq mediat e huaja shkruajnë se Vuçiç i ka kërkuar mikut të tij, kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban që të vendosë veton nëse rast se propozohet ndëshkimi i Serbisë si propozim në takimin e së premtes. Shumë shtete të BE-së në mesin e të cilëve dhe Kroacia, Estonia, Lituania, dhe Letonia po kërkojnë ndëshkimin e Serbisë si përgjegjwse për përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk ka qëndruar në pritje, por ka zhvilluar takime intensive me kryeministrin Sunak e presidentin Makron, duke kërkuar që Serbia të mbajë përgjegjësi për ngjarjet e 24 shtatorit për sulmin në Banjskë.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, të enjten në hapjen e samitit të Komunitetit Politik Evropian në Granada, tha se ky komunitet duhet të ndihmojë në qetësimin e konflikteve dhe gjetjen e zgjidhjeve. Ai përmendi tensionet në Nagorno-Karabakh dhe ato mes Kosovës e Serbisë.

“Unë sinqerisht besoj se kjo platformë e komunitetit politik mund të luajë dhe duhet të luajë një rol të rëndësishëm në zbutjen e konflikteve dhe në ndihmën për zgjidhjen e tyre – veçanërisht në Kaukazin e Jugut dhe midis Serbisë dhe Kosovës. Sepse konfliktet nuk janë vetëm për ata që janë të përfshirë drejtpërdrejt; janë problem për rajonin dhe për kontinentin tonë. Ne duhet ta përdorim këtë platformë unike për të ndërtuar më shumë besim mes nesh. Më shumë besim, më shumë paqe, më shumë stabilitet, më shumë parashikueshmëri”, tha Michel.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë