Gazeta Si – Po shikojmë në Kosovë dhe ndonjë okazion, ndonjë lojtar pa kontratë! Kjo është përgjigja që merr thuajse nga gjithë klubet e Superiores në lidhje me merkaton e dimrit, ku lëvizjet janë më të kufizuara se në verë.
Kosova në fakt mbetet tregu kryesor për Superioren, sidomos për klubet më të mëdha, që aty gjejnë shpesh elmentët që u bëjnë punë. Janë të shumtë futbollistët e ardhur në Shqipëri nga kampionati kosovar, shqiptarë apo edhe të huaj.

Tirana, Partizani, Vllaznia, Dinamo e skuadra të tjerë kanë gjetur në çdo sesion merkatoje ‘shpëtim’ në Kosovë dhe kështu po ndodh edhe tani. Ata që merren direkt me merkaton e kanë përqendruar vëmendjen në Kosovë. Mustafa Ba, sulmuesi i Trepçës, është lojtari më i kërkuar i momentit. E duan Tirana, Partizani dhe Dinamo.
Në rastin e Kosovës duket se klubet shqiptare e kanë më të thjeshtë të arrijnë një akord, duke paguar edhe për kartonin e lojtarit, por në shuma relativisht më të vogla se ato që do të paguanin në klube të kampionateve të tjera. Në anën tjetër, vetë lojtarët joshen më shumë nga kampionati shqiptar, ku paguhet më mirë dhe ka infrastrukturë më të mirë se në Kosovë.
Përjashtim mund të bëjë vetëm Ballkani, ekipi kampion i Kosovës, që ka vendosur një standard të ri me kualifikimin dy herë në grupet e Ligës së Konferencës. Nga ky klub skuadrat shqiptare e kanë pak më të vështirë të marrin lojtarë.
Pastaj janë edhe okazionet, por këtu duhet të kesh shumë fat. Sepse është shumë e vështirë që të gjesh një lojtar me kualitet të lirë, pra që nuk ka marrëdhënie kontraktuale me një klub tjetër. Janë raste të rralla, për të cilat ka shumë konkurrencë, ku fiton ai që lëviz më shpejt dhe me më shumë zgjuarsi.
Në fund janë edhe pistat afrikane dhe amerikano-latine. Por në dimër këto pista preferohen më pak, sepse nuk ka kohë për të bërë teste. Në janar kërkohen lojtarë që janë të gatshëm për të luajtur menjëherë, sepse klubet duan të riparojnë ato mangësi që kanë pasur gjatë gjysmës së parë të sezonit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




