Njerez

Korriku po mundohet të na ritregojë diçka për aksidentet

Në korrik aksidentet automobilistike u rritën në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar por kjo nuk tregon gjithnjë panoramën.

Numri i të aksidentuarve korrikun e këtij viti është 175 persona (të vrarë dhe të plagosur) nga 168 që ishte në të njëjtin muaj të një viti më parë.

Ekspertët thonë se ardhja e emigrantëve shtohen dhe aksidentet. Vitin e kaluar erdhën shumë pak emigrantë për shkak të mbylljes së kufijve ndërsa këtë vit hyrja e shtetasve të huaj është rritur me 2.6 herë krahasuar me 2020, sipas të dhënave të INSTAT.

Që nga viti 2017, aksidentet kanë qenë më të ulëta në numër se korriku i këtij viti, përveç atij të vitit të kaluar, ndërsa numri i vdekjeve ka qenë gati i njëjtë.

Arsyeja kryesore pse rriten aksidentet gjatë sezonit të verës, sipas eksperteve është fakti se emigrantët shpesh e kanë të vështirë  të përshtaten me infrastrukturën në Shqipëri e cila ndryshon nga standardi europian.

Ekspertët ngrejnë problematikën se Shqipërisë i mungon një institucion që studion shkaqet e aksidenteve në bazë të të cilës do të merreshin masa tekniko-organizative dhe bashkërenduese me të gjitha dikasteret e sigurisë rrugore në vendin tonë.

Para disa kohësh, eksperti i sigurisë rrugore Gëzim Hoxha, tha për gazetën “SI” se mungesa e një strukture të tillë ka sjellë masa sipërfaqësore në bazë të perceptimit të policisë së shtetit.

 Shpesh sipas tij, kjo tregon edhe punën e dobët të policisë.

Jo se ata nuk qëndrojnë në vapë dhe nuk menaxhojnë trafikun, por mungojnë  format e tjera bashkëvepruese brenda strukturave të policisë si dhe ato me shoqërinë civile. 

Gjatë 7-mujorit numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është rritur me 34% duke arritur në 118 persona nga 88 që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të INSTAT.

Gjithashtu në 7-mujorin e vitit 2021, numri i të aksidentuarve është 1,050 persona nga 824 persona në 7-mujorin e vitit 2020.

Në muajin korrik 2021, aksidentet rrugore, në 95,6 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.

Drejtuesit e mjeteve nuk njohin mirë rregullat e qarkullimit rrugor sipas ekspertëve dhe nuk janë të përgjegjshëm në drejtimin e mjetit.

 “Duke qenë se njerëzit sot janë shumë të stresuar që e akumulojnë gjatë gjithë javës, priren që qoftë për pushime, apo për të kaluar një fundjavë me miqtë ose familjarët, të përdorin mjete private ku për të arritur në destinacion sa më shpejt, bëjnë parakalime të gabuara, të cilat rezultojnë fatale.

Gjithashtu ata gjatë verës kanë tendencën për të konsumuar më shumë alkool për shkak se janë me pushime,ku disa herë nga vetëkënaqësia e tepruar nuk kanë përmbajtje në rrugë.”

Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 27,2 % të numrit të aksidenteve gjithsej.  Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 20,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i më i madh i aksidenteve ka ndodhur në qytete të mëdha. Tirana kryeson me gati 40% të aksidenteve në rang vendi.

Pas Tiranës numri më i madh i aksidenteve ka ndodhur ne qarkun e Lezhës me rreth 99 të tilla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë