Menaxhim

Korridori VIII, Balluku: Tunelet Librazhd-Elbasan përfundojnë pranverën e ardhshme

Nga Gazeta ‘SI’ – Zv.kryeministrja Belinda Balluku, ka njoftuar se pranverën e ardhshme dy tunelet Librazhd-Elbasan, do të kenë përfunduar.

Gjatë inspektimit shoqëruar nga kryeministri Edi Rama, Balluku theksoi se ky është një nga kantiret më të rëndësishme të korridorit 8.

“Ne mendojmë se dritë do të shohim shumë më shpejt. Çarja do bëhet shumë më shpejt, mendojmë diku nga shtatori do kemi dritë nga ana tjetër. Tani jemi mbi 400 metra, tunelet që të dyja janë 1.1 kilometër, kështu që në fund të shtatorit do kemi përfunduar me gërmimin, pastaj do të përdorim gjithë pjesën për të bërë dorëzimin në fillim të pranverës të vitit tjetër. Këtu jemi në fazën e 5-të. Faza e katërt është Baypassi i Librazhdit që ndodhet pas këtij tunelit, pra që lidhet me këtë tunel, ndërkohë që përballë kemi fazën e tretë. Faza e tretë nis në Labinot Fushë dhe më pas arrin domethënë mbikalimin e Xibrakës për t’u afruar te ura e Mirashit dhe deri këtu ndodhemi tani”, sqaroi zv.kryeministrja.

Balluku theksoi se punimet në këtë zonë kanë qenë më të vështira se tuneli i Llogarasë, por më të lehta se tek tuneli i Murrizit.

Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë, duke rikujtuar edhe punën sfiduese që u bë për hapjen e tunelit të Murrizit, një nga më të vështirët për shkak të gjeologjisë së zonës. Kryeministri inkurajoi vijimin me vepra të tjera madhore, të shumëpritura nga qytetarët, siç është rruga Librazhd- Dibër, për të cilën Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku informoi se po përfundohen detajet e fundit dhe do të jetë gati në fillim të prillit.

“Këta kur kaluan Murrizin, i kalojnë të gjitha. Kur e mbyllim Librazhd-Dibër? E dëgjoni ju dibranët, se për ju paska qenë kjo botë. Mirë rruga e Arbrit, po tani do dilni edhe te liqeni Pogradecit me shpejtësi të madhe”, u shpreh Kryeministri Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë