Sociale

Koronavirusi në Itali, rekord i të shëruarve, por të infektuarit rriten.

Për qetësimin e të gjithëve, për të dhënë buletinin e Covid 19 të ditës së sotme (e shtunë) ishte vetë kreu i emergjencës civile italiane Angelo Borelli, i cili pak ditë më parë nuk është ndjerë mirë dhe iu nënshtrua testit të koronavirusit, nga i cili doli negativ. Duke falenderuar të gjithë për interesimin, në fillim të daljes në medie, ai njoftoi se: “Më në fund, bie lehtë kurba e pozitivëve falë bumit të të shëruarve. Aktualisht janë 3,651 njerëz me Covid më shumë se dje, teksa dje numri i të infektuarve me koronavirus ishte 4,401 krahasuar me një ditë më parë. Kjo falë faktit që 1.434 njerëz janë rikuperuar, një rekord që nga fillimi i epidemisë, një numër që të lejon të shpresosh për ditët në vijim.”

Angelo Borelli, kreu i Emergjencës Civili, Itali

Të infektuarit e rinj në 24 orët e fundit janë praktikisht ato të djeshme, 5974. Shumë, ende tepër të vdekurit. Fatkeqësisht, me 889 vdekjet e 24 orëve të fudnit, arrin mbi 10 mijë (10.023) numri i viktimave që ka humbur betejën me armikun e padukshëm.

Pavarësisht entuziazmit të të shëruarëve virologët dhe infeksionistët italianë komentojnë se rifreskimi i të dhënave të përditshme është një iluzion dhe zhgënjim në varësi të lajmeve, duhet të kuptojmë thonë ata kurbën në funskion të sjelljes së virusit dhe duhet të presim disa ditë që të kuptojmë realisht trendin.

“Ne duhet të konsiderojmë që të dhënat e siguruara nga mbrojtja civile sot i referohen testeve të kryera në24 Mars e  më parë, sepse laboratorët nuk janë në gjendje të kryejnë menjëherë testet”, paralajmëron epidemiologu Pierluigi Lopalco, këshilltar për urgjencën e koronavirusit në Puglia.

Këtu në rajon, duke vëzhguar tamponet e kryera në të njëjtën ditë, shohim një ngadalësim të vazhdueshëm të rritjes që nga 18 Mars, por më në përgjithësi, masat e kontrollit të nisura më 10 Mars kanë qenë më efektive në jug, ku virusi ishte më pak i përhapur. Në veri, ne e shohim atë efekt më pak sepse epidemia ishte shumë e përhapur dhe njerëzit vazhduan të infektohen brenda familjeve dhe në vendin e punës, në një jetë ende shumë aktive përpara se të vendosej mbyllja tërësisht nga qeveria disa ditë më parë “. Megjithatë, shtrimet në spital për herë të parë mbeten të pandryshuara, edhe pse ata që janë në kujdesin intensiv janë 124, në përputhje me ditët e fundit. Rastet e reja në Lombardi ranë paksa, 2.117 kundrejt 2.409 një ditë më parë. Në Lazio ka edhe 210 raste të tjera, një shifër pak më e lartë se dje (199) por ato janë të përqendruara kryesisht në shtëpi pleqsh ku vëmendja është gjithashtu shumë e lartë. Në Romë, nga ana tjetër, është regjistruar shifra më e ulët e javës me 98 të infektuar në një ditë, 28 më pak se një ditë më parë. Rritja e rasteve të reja në Jug ngadalësohet, megjithëse pak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë