Presidenti Ilir Meta kërkon marrjen e masave të forta parandaluese për “betejën” e re për Koranovirusin. Në një prononcim për median kreu i shtetit u shpreh se pas shpalljes së gjendjes së emergjencës në nivel global nga OBSH duhet të merren masa më të forta sanitare e epidemiologjike për të parandaluar këtë virusi të rrezikshëm për të depërtuar në vendin tonë.
“Unë mendoj se është koha për të marrë masat më të forta, Shqipëria ka një eksperiencë në raste të tilla sikurse ka qenë parandalimi i suksesshëm i SARS-it, dikur, por është e rëndësishme të theksohet se çdo neglizhim mund të ketë pasoja kritike, dhe unë shpresoj dhe inkurajoj në marrjen e masave më të forta parandaluese”, theksoi kreu i shtetit.
Sa i përket marrjeve të masave apo informacioneve nga strukturat shtetërore, presidenti u shpreh se është në një proces komunikimi. “Rastet në Itali apo në ndonjë rast tjetër në ndonjë vend tjetër fqinj tregojnë shumë qartë se ne jemi seriozisht të ekspozuar dhe duhet të parandalojmë me çdo kusht e çdo mjet depërtimin e këtij virusi në vendin tonë. I kemi të gjitha mundësitë në rast se të gjithë i bëjnë detyrat maksimale”, tha më tej presidenti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.