Lajme

Koronavirusi, Basha i kërkon Ramës që të lerë “luftën politike”

Lulzim Basha i kërkon Qeverisë që të lerë menjëanë luftën politike dhe të ndërmarrë menjëherë masa financiare për të ndihmuar tre kategori, familjet në nevojë, sipërmarrësit e vegjël dhe punëtorët.

“Detyra e parë e qeverisë duhet të jetë shëndeti i shqiptarëve dhe po kështu, ndihma për qytetarët dhe për ekonominë. Shëndeti, siguria dhe ekonomia e njerëzve, janë shqetësimi ynë”, deklaron ai në Facebook.

Basha e cilëson papërgjegjshmëri të Edi Ramës sulmet ndaj opozitës dhe këmbëngul se çdo masë e propozuar nga ai është plotësisht e realizueshme, por që kërkojnë heqjen dorë nga disa koncesione.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/posts/3025392380845256

“Çdo masë që kemi propozuar është realiste dhe e zbatueshme nëse ka MIRËMENAXHIM, KOMPETENCË dhe TRANSPARENCË. 120 milionë euro që shkojnë dëm me koncesionet e oligarkëve, duhet të angazhohen URGJENTISHT për mbështetje sociale, për fonde shtesë për shëndetësinë si dhe për mbështetje fiskale dhe financiare për bizneset që sot kanë mbyllur dyert”, vijon reagimi i kreut të PD-së.

Basha përsërit se me batuta nuk qeveriset vendi, nuk ushqehen njerëz, nuk shpëtohen biznese dhe nuk rimëkëmbet ekonomia.

“Ndaj do të vazhdoj pa u lodhur t’i bëj thirrje qeverisë, që për hir të të gjithë shqiptarëve, të lërë mënjanë luftën politike, dhe të vërë interesat e njerëzve të parat”, mbyll reagimin e tij Lulzim Basha, duke kujtuar përmes një videoje 8 propozimet e PD-së.

8 propozimet janë:

  1. Të pezullohen pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-mujore (shlyerja e këtyre pagesave të bëhet me këste 12-mujore në periudhat pasardhëse).
  2. Në rast nevoje, kur biznesi shfaq pamundësi financiare, të paguhen nga buxheti i shtetit pagat e punonjësve për një periudhë 2-mujore, sipas kritereve të mirëpërcaktuara për të shmangur abuzimin.
  3. Përjashtimin nga tatim fitimi për 6-mujorin e parë të vitit dhe të pezullohet tatim fitimi për pjesën e mbetur të vitit (e cila të paguhet me 4 këste gjatë vitit 2021).
  4. Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit për të gjithë konsumatorët (familjarë nën minimumin jetik dhe biznese të vogla e të mesme) në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur. Gjithashtu, të pezullohet shkëputja e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në rast të mospagesës së detyrimeve për periudhat pararendëse deri në tejkalimin e kësaj gjendje.
  5. Të përjashtohen nga kamatvonesat dhe gjobat për një periudhë 3 mujore.
  6. Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore për një periudhë 3-mujore në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur.
  7. Furnizimin me ushqime dhe detergjent të të gjithë familjeve që janë në pamundësi ekonomike, duke përfshirë qindra familje që po jetojnë në çadra dhe në kushte aspak të favorshme si pasojë e tërmetit.
  8. Mundësi për të furnizuar me ushqime të moshuarit që jetojnë vetëm dhe janë më të rrezikuarit nëse dalin në rrugë”.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë