Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, njofton kompanitë e transportit ndërkombëtar të mallrave se duhet të dorëzojnë brenda ditës së sotme, 14 Mars 2020, listën me emrat e drejtuesve të automjeteve të cilët do të kryejnë transportin ndërkombëtar.
“Në kuadër të organizmit të transportit ndërkombëtar të mallrave, si pasojë e masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, kërkohet nga të gjitha kompanitë të cilat kryejnë transport ndërkombëtar të mallrave që brenda ditës së sotme, 14.03.2020, ora 23:00 të dorëzojnë në adresën e email [email protected], listën e drejtuesve të automjeteve, të cilët kryejnë transport ndërkombëtar”, citon njoftimi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Kjo listë duhet të përmbajë emër, atësi, mbiemër, ditëlindje, numër pasaporte dhe numrin e lejes së drejtimit ndërkombëtare.
Nga ana e autoriteteve do të lejohen të qarkullojnë vetëm kompanitë të cilat do të dërgojnë emrat e drejtuesve të tyre.
Në fillim të javës, MIE njoftoi pezullimin e transportit të pasagjerëve me Italinë, por bëri të ditur se transporti i mallrave nuk do të prekej nga masat shtrënguese në kuadër të emergjencës së Koronavirusit. Me masat e marra nga Qeveria për pezullimin e lëvizjes së automjeteve, kompanitë e transportit të mallrave do të duhet të regjistrojnë drejtuesit e mjeteve për të mundësuar vijimin e punës se tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




