Bota

Koreja e Jugut në krizë politike, opozita me mocion për shkarkimin e presidentit në detyrë

Nga Gazeta ‘Si’- Opozita në Korenë e Jugut tha se ka dorëzuar një mocion për shkarkimin e ushtruesit të detyrës të presidentit, Han Duck-soo, pasi ai ka refuzuar që të emërojë gjykatës në Gjykatën Kushtetuese për të finalizuar procesin e largimit nga detyra të paraardhësit të tij.

Koreja e Jugut është zhytur në krizë politike, pasi presidentit Yoon Suk Yeol – i cili aktualisht është i pezulluar nga kjo detyrë – shpalli gjendje lufte më 3 dhjetor.

Për këtë shkak, Yoonit iu morën detyrat e presidentit nga Parlamenti më 14 dhjetor, por Gjykata Kushtetuese tani duhet të mbajë në fuqi vendimin e ligjvënësve, në mënyrë që të përfundojë procesi i shkarkimit të presidentit.

Megjithatë, Han ka refuzuar që të emërojë tre gjyqtarë për të kompletuar përbërjen prej nëntë anëtarësh të Gjykatës Kushtetuese, që janë të nevojshëm për të çuar përpara procesin për largimin e Yoonit.

Subjekti opozitar, Partia Demokratike, tha se për këtë arsye tani po kërkon që Han të shkarkohet.

“Kemi ngritur mocion… do ta njoftojmë për të Parlamentin sot”, tha ligjvënësi Park Sung-joon për gazetarët.

Refuzimi i Hanit që të emërojë tre gjyqtarët dëshmon se ai “nuk ka vullnet apo nuk është i kualifikuar që të respektojë Kushtetutën”, tha kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Park Chan-dae.

Nëse gjykata do të vazhdonte me procesin e shkarkimit pa emërimin e tre gjyqtarëve, të gjashtë gjyqtarët aktualë do të duhej të pajtoheshin në mënyrë unanime për të larguar Yoonin nga detyra e presidentit. Pa një unanimitet të tillë, Yoon do të kthehej në postin e presidentit.

Han ka thënë se do të certifikojë emërimin e gjyqtarëve vetëm pasi subjekti në pushtet, Partia e Pushtetit Popullor dhe opozita arrijnë një kompromis për gjyqtarët e nominuar.

Nëse mocioni i opozitës kalon gjatë seancës të së premtes, kjo do të ishte hera e parë në historinë e Koresë së Jugut që Parlamenti i këtij shteti të votonte për shkarkimin e një ushtruesi të detyrës të presidentit. Nëse ndodh ky skenar, atëherë Han do të zëvendësohej nga ministri i Financave, Choi Sang-mok./REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë