Gazeta Si – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Korçë, ku një grua 40-vjeçare pasi ka lindur fëmijën e saj në shtëpi e ka futur atë në një valixhe.
Për pasojë foshnja ka ndërruar jetë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 15 të Korçës dhe dyshohet se gruaja vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Foshnja është gjetur i vdekur në banesë nga bashkëshorti i saj, K.H. Ai ishte kthyer para 1 muaji nga emigracioni në Greqi dhe ka konstatuar erën e rëndë në dollap.

Bashkëshorti ka bërë kallëzim dhe i ka thënë policisë që kishte më shumë se 1 vit që nuk ishte kthyer në shtëpi dhe se fëmija i pajetë nuk ishte i tij.
Aroma vinte nga dollapi por fillimisht nuk ishte në gjendje të përcaktonte shkakun. Ai theksoi se kishte rreth një vit që jetonte jashtë shtetit dhe rrjedhimisht fëmija nuk mund të jetë i tij.
Çifti ka edhe një fëmijë tjetër në moshën 15-vjeçare, i cili nuk mund të sqarojë ngjarjen, pasi vuan nga autizmi.
Ndërkohë, gruaja është transportuar në maternitetin e qytetit për ekzaminime të mëtejshme. Në gjendjen që është nuk mund të sqarojë rrethanat e ngjarjes.
Mjekja psikiatre: 40-vjeçarja ka humbur lidhjen me realitetin

Mjekja neuro-psikiatre, Nikolina Bode, shprehet se familjarët e kanë konstatuar shtatzëninë e 40-vjeçares në muajin dhjetor të vitit të kaluar, atëherë kur ka qenë e dukshme.
Ata kanë tentuar ta vizitojnë, por 40-vjeçarja ka kundërshtuar. Gruaja sipas mjekes është diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor 3 vite më parë, por nuk pranonte të mjekohej.
Sipas mjekes, gruaja vuan nga çrregullime serioze të shëndetit mendor psikotik për shkak të të cilave ajo ka humbur lidhjen me realitetin.
Ajo është marrë në pyetje, por përgjigjet kanë qenë kryesisht të paqarta.
Po ashtu, bëhet e ditur se 40-vjeçarja ka thënë se fëmijën e ka lindur dikush tjetër dhe jo ajo.

Fqinjët e pallatit ku u foshnja e porsalindur u gjet e vdekur në valixhe janë të tronditur. Ata tregojnë se gruaja ishte me aftësi të kufizuara.
“Është e sëmurë, shumë e sëmurë. Banon në kat të dytë. Nuk e di a ishte shtatzënë. I shoqi rri në Greqi, edhe erdhi. Vete e vjen, po këtu ishte dje. Ashtu ka qenë ajo edhe më përpara. Ajo ka një djalë, po edhe atë s’e ka mirë,” tregon një e moshuar që jeton në të njëjtin pallat me nënën e fëmijës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




