Gazeta Si- Ka zgjatur dy orë e gjysmë aventura e 71-vjeçarit Edmond Naska, i cili terrorizoi mëngjesin e kësaj të marte banorët e lagjes 16 në qytetin e Korçës, duke qëlluar disa herë me armë në ajër nga ballkoni i banesës së tij..
Pak pasi RENEA mbërriti në vendnngjarje, i moshuari është arritur të neutralizohet dhe nxirret jashtë pa asnjë incident.
Policia dhe shërbimet e Repartit Special RENEA rrethuan zonën, pasi Naska u mbyll në banesën e tij dhe pas dy orësh e gjysmë është bërë e mundur nxjerrja nga shtëpia.
Ndërkohë, nga të shtënat nuk ka pasur njerëz të plagosur. Momentalisht i moshuari është dërguar drejt spitalit, pasi vuan nga probleme të shëndetit mendor.




Si fillim RENEA është përpjekur që të negociojë me të moshuarin, por pasi nuk ka pasur bashkëpunimin e këtij të fundit ka bërë të mundur thyerjen e xhamave për t’u futur në banesë.
Një prej efektivëve të RENEA-s e ka mbajtur atë të bllokuar nga duart, ndërkohë që kolegët e tij kanë ndërhyrë nga dera e apartamentit, duke e vënë shpejt në pranga.
Banorët e pallatit shprehen se ai nuk njihej si një person problematik dhe se ishte tip i mbyllur. Policia njofton se nga të shtënat nuk ka të lënduar dhe se aktualisht nuk ka asnjë rrezik për jetën e banorëve.



Një nga fqinjët e tij ka treguar për mediat momentin kur dëgjuan të shtënat nga Edmond Naska, ku shprehet se bashkë me gruan dhe djalin janë larguar menjëherë nga banesa. Ai tregon se jetojnë prej 3 vitesh në të njëjtin pallat, por se nuk e dinin se ishte i rrezikshëm. Fqinji i tij u shpreh se Naska bëhej agresiv dhe zihej me njerëzit që parkonin poshtë ballkonit të tij.
“Ngjarja ndodhi rreth orës 10, 10 e çerek. U dëgjuan disa të shtëna. Mora nusen dhe djalin se u trembën dhe ikëm nga shtëpia. Banojmë në të njëjtin pallat. E dija tip të qetë, nuk dilte se rrinte mbyllur. Jetoj prej 3 vitesh në këtë pallat. S’e dinim që ishte kaq i rrezikshëm, duhej të ndodhte kjo gjë. Shpresojmë që të mbyllet gjithçka mirë, që të kthehemi në shtëpi se kemi frikë. Dukej tip i qetë. Veç kur ndodhi sot ngjarja që shtiu me armë. Nuk mund të kthehemi në shtëpi. Jemi të tronditur. Kur parkonin makinat para ballkonit të tij bëhej agresiv, zihej. Me armë gjuajti në ajër ai.”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




