Lajme

Korçë, 5 persona të tjerë të prekur nga fruthi. ISHP apel qytetarëve

Pas dy rasteve të epidemisë së fruthit në gjimnazin “Themistokli Gërmenji”, janë evidentuar pesë raste të tjera të epidemisë së fruthit në Korçë, ku mes tyre është edhe një fëmijë.
Mësohet se fëmija është nisur drejt Tiranës. Rastet e sotme e çojnë në 9 numrin e të prekurve nga fruthi në qytetin e Korçës.
Kryesisht bëhet fjalë për fëmijë që kanë lindur në vitet ’80-’90 dhe si vatër është fshati Bulgarec, i cili është shumë afër qytetit.

Pas rasteve në gjimnazin “Themistokli Gërmenji të shtunën, është vënë në alarm Drejtoria e Shëndetit Publik, duke vaksinuar në mënyrë emergjente të gjithë nxënësit që nuk e kishin bërë të plotë vaksinën antifruth, por edhe stafin pedagogjik.
Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik nga viti 2018 deri në janar 2019 janë regjistruar 1367 raste të konfirmuara me fruth nga 2700 të dyshuara.
Ndërkohë, ISHP vijon thirrjet për vaksinimin e fëmijëve, por edhe të rriturve që nuk e kanë bërë vaksinën, pasi është e vetmja mënyrë për të parandaluar fruthin.

Sëmundja e fruthit
Fruthi është një infeksion viral i sistemit respirator, një sëmundje shumë ngjitëse që përhapet nga kontakti me pështymën e infektuar. Një person i infektuar mund të përhapë viruset në ajër nëpërmjet kollës apo teshtimave.
Virusi i fruthit mund të jetojë në sipërfaqe për disa orë, kështu që mund të futet në rrugët e frymëmarrjes nëpërmjet ajrit, duke infektuar dhe persona të tjerë.
Ndër shenjat më karakteristike të kësaj sëmundjeje është një skuqje (rash) e lëkurës që përhapet në të gjithë trupin. Kjo skuqje shfaqet që në ditët e para të infeksionit, fillimisht në fytyrë dhe kokë e më pas përhapet dhe në trup.
Disa persona mund të shfaqin ndërlikime të rënda të fruthit si: pneumonia (infeksion i mushkërisë) apo encefaliti (infeksioni i trurit). Këto ndërlikime kërkojnë trajtim të specializuar në spital dhe mund të shkaktojnë vdekjen, pavarësisht trajtimit intensiv.
Vaksinimi është mënyra e vetme për të parandaluar shpërthimin e fruthit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë