Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj ka njoftuar miratimin e skemës së re të subvencioneve për fermerët.
Skema ka në dispozicion 44 milionë euro dhe ka disa risi dhe do të subvencionohet edhe mbarështimi i viçave, lajmëroi ministrja pas mbledhjes së qeverisë.
“Skema ka një risi për të gjithë ata që mbarështojnë viça për majmëri. 10 mijë lekë për lopët, 5 mijë lekë për viçat, por jo më pak se 10 krerë. Ky kufi mbështet ekonominë e shkallës por edhe nxit bashkimin e fermerët. Për bagëtitë e imta vijon e njëjta masë financimi 1200 lekë për krerë. Për bletarinë është 1 mijë lekë për koshere. Për perimet, luleshtrydhet, rrush tavoline në sera masa është 200 mijë lekë për hektar por jo më pak se 1 hektar. Kemi një masë financimi për kontrollin biologjik të dëmtuesve ku 50% e vlerës së faturës tatimore do subvencionohet nga skema. Bimët medicinale do të jenë në fokus me 30 mijë lekë për hektarë por jo më pak se një hektar. Fermat organike 100 mijë lekë dhe 200 mije lekë për çdo fermë të certifikuar”, tha Denaj.
Ajo theksoi se do të jenë prioritet shoqëritë bujqësore, pra fermerët që janë bashkuar ose serrat.
“Prioritet do të kenë aplikuesit që do janë anëtarë të një shoqërie të bashkimit bujqësor, ose bashkim operatorësh me të paktën shtatë anëtarë. Përjashtim bën rasti i serrave, do të jetë katër numri minimal i anëtarëve. Prioritet pra do të jetë për aplikuesit që vijnë si bashkësi operatorësh në të dy format dhe pjesa tjetër do të shpërndahet në mënyrë të barabartë për pjesën tjetër të aplikantëve që plotësojnë kriteret”, tregoi ministrja Denaj.
Ndërsa skema e naftës do të pësojë ndryshime, pasi do të rriten kontrollet për përfituesit në bazë risku, shtoi ministrja.
Më tej ajo njoftoi zonat ku do të kultivohet kanabisi, për qëllime shëndetësore.
Denaj tha se janë caktuar 10 zona, por janë përjashtuar zonat me zhvillim të lartë bujqësore, si Myzeqeja dhe Korça.
“Janë 10 zona Kadastrale që janë përcaktuar në bazë të studimi dhe janë të mirë përcaktuara, dhe njëkohësisht në gjithë bashkërendimin e veprimeve, besoj që të gjithë udhëzuesit do ta përcaktojnë më së miri se si do vijojë procesi. Janë të gjithë Shqipërinë, por ka një kriter të domosdoshëm, janë të përjashtuar të gjitha zonat me intensitet të lartë bujqësore. Janë zona bujqësore , që janë jashtë vëmendjes të zhvillimit aktual të bujqësisë intensive, dhe me një distancë nga shkollat, vendet e banuara, dhe gati 3 kilometra në distance ku bletaria sot zhvillohet”, tha më tej.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



