Rend dhe Ligj

Kontrolli dhe arsenali i armëve në banesat e fisit Martinaj, asnjë i ndaluar nga policia

Gazeta Si - Kur kanë kaluar rreth 24 orë nga operacioni i Policisë së Shtetit, ku u gjetën dhe sekuestruan një arsenal i tërë armësh në ambientet e familjarëve të Ervis Martinajt, deri tani nuk ka asnjë person të ndaluar apo shoqëruar nga policia.

Kontrolli i forcave të FNSH-së dhe RENEA-s u përqendrua në banesat e Ervis Martinajt, i zhdukur që në gusht të këtij viti dhe xhaxhallarve të tij, Faikut dhe Rakipit.

Burime paraprake, bëjnë me dije se dy xhaxhallarët e të shumëkërkuarit ndodheshin prezent, por për arsye të paqarta nuk dihet se përse nuk janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje.

Përveç armëmbajtjes pa leje, në rastin konkret është edhe vepra penale e përvetësimit të simboleve të Policisë së Shtetit, pasi janë gjetur uniforma dhe kapele policie mes të tjerash.

Armët e gjetura janë dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore, teksa dyshimet janë për përdorim të tyre në ngjarje të tjera kriminale.

Përveç tentativës për të kuptuar mbi përdorimin e armëve, policia do të verifikojë edhe maskat e gjetura, tek të cilat mund të gjenden gjurmë gishtash.

Burime nga organi i akuzës në Kurbin shprehen se urdhri është dhënë për kontrolle të befasishme dhe se është kompetencë e policisë për të kryer veprime të mëtejshme në lidhje me sendet e jashtëligjshme të gjetura.

Policia organizoi kontrolle në shtëpinë e tij një ditë më parë, një ndërtesë e rrethuar me mure të larta dhe e pajisur me kamera të sigurisë, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme kërkuar nga SPAK për dosjen “Plumbi i Artë”,

Por edhe për hetimin e Prokurorisë së Kurbinit për rrëmbim personi. Arsyet e kohës që policia zgjodhi për kontrollet janë ende të paqarta.

Si rezultat i kontrolleve u gjetën 2 armë zjarri automatikë, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë dhe sende të tjera të uniformave blu.

Kontrollet vijnë 8 muaj pasi Martinaj u shpall në kërkim si person që kishte porositur vrasjen e shtetasit Indrit Dokle dhe 5 muaj nga denoncimi si i zhdukur nga familjarët.

Si personazhi kryesor në dy dosje, asaj të zhdukjes së tij që po hetohet nga Prokuroria e Kurbinit dhe si i hetuar nga SPAK pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani, kontrollet e policisë duket se kanë funksion ndihmën e të dy hetimeve.

Ervis Martinaj u pa për herë të fundit në Durrës nën shoqërinë e efektivit të Policisë së Lezhës, Jeton Lami, i cili është arrestuar, por që deri tani nuk ka pranuar të japë shpjegime për rolin e tij.

Për të hedhur dritë mbi fatin e tij, kryeministri Rama i kërkoi Policisë së Shtetit të japë përgjigje bazuar në prova, brenda një kohë të shkurtër.

Ndërsa drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka deklaruar disa herë se hetimet janë në rrugë të mbarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë