Lajme

Kontrollet në dogana, AKU bllokon 20 ton lëngje frutash dhe 2.7 ton kripë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nga kontrollet e kryera në Pikën Kufitare Morinë, Hani i Hotit dhe Durrës, ka bllokuar katër ngarkesa produktesh: lëngje frutash, pije energjike dhe kripë.
Me një deklaratë të shpërndarë për mediat AKU-ja njofton se ka bllokuar 20.4 ton lëngje frutash, 2,7 ton kripë si dhe 4043 kg pije energjike.
AKU bën me dije se nga kontrolli i ushtruar ka bllokuar një ngarkesë me 20.4 ton lëngje frutash (nisur nga Serbia me qëllimin për t’u tregtuar në Shqipëri), pasi u konstatua se ato ishin afër datës së skadencës.
Po ashtu nga kontrolli i ushtruar në një ngarkesë me 2.7 ton “Kripë Himalaje” (importuar nga Maqedonia nga subjekti Lindi AL me qëllim tregtimin për konsum human në Shqipëri) u konstatua se produkti kishte mangësi në dokumentacionin shoqërues (nuk dispononte raport-analizë të vlefshme për nivelin e jodit, si dhe etiketa nuk përcakton saktësisht përmbajtjen e jodit). AKU ndaloi futjen e kësaj ngarkese në territorin e Shqipërisë dhe urdhëroi “Kthimin në vendin e origjinës”.
Nga kontrolli i ushtruar në Pikën Kufitare në Hanin e Hotit në një ngarkesë me 4043 kg pije energjike RED BULL (importohej nga Rumania nga Barcen Distribution shpk), u konstatua se produkti nuk plotësonte kërkesat ligjore të importit (mangësi në dokumentacionin shoqërues). Pas bllokimit të ngarkesës dhe lënies së një afati kohor për plotësimin e mangësive në dokumentacion, në kushtet kur subjekti nuk paraqiti dokumentacionin e nevojshëm për të garantuar sigurinë e produktit, AKU urdhëroi “Kthimin në vendin e origjinës” të produktit.
Nga kontrolli i ushtruar në Pikën Kufitare Durrës në një ngarkesë me 21 ton kripë (importohej nga Gjermania për konsum human në Shqipëri) u konstatua se etiketa e produktit kripë nuk përmbante të dhënat kryesore si: niveli i jodit, data e skadencës dhe e prodhimit. AKU vendosi masën administrative “Bllokim produkti” dhe “Kthim në vendin e origjinës” të sasisë prej 21 ton kripë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë